Sportistët dhe trajnerët kosovarë që u shpërblyen me medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” do të marrin mbështetje financiare nga institucionet e Kosovës.
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka bërë të ditur se ka aprovuar një mbështetje të njëhershme financiare në vlerë totale prej 70,500 eurosh, e cila do të ndahet për sportistët dhe trajnerët në bazë të medaljeve të fituara.
Shuma e shpërblimit ndryshon në varësi të ngjyrës së medaljes. Për medaljen e artë, sportisti përfiton 10,000 euro, ndërsa trajneri 5,000 euro. Për medaljen e argjendtë janë paraparë 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin, ndërsa medalja e bronztë shpërblehet me 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.
Kosova e përfundoi pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me një bilanc rekord prej nëntë medaljesh, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Gashani ka vlerësuar paraqitjet e sportistëve kosovarë, duke theksuar se pas çdo medaljeje qëndrojnë puna, disiplina dhe përkushtimi i tyre, ndërsa rezultatet përfaqësojnë edhe një burim krenarie për vendin.
Përmes një postimi në Facebook, ministri ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin rezultatet e larta sportive dhe të krijojnë kushte më të mira për sportistët dhe trajnerët.
“Sportistët tanë, përmes punës, disiplinës dhe rezultateve të tyre, vazhdojnë ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo medalje e fituar është rezultat i përkushtimit të tyre dhe njëkohësisht krenari për vendin tonë”, ka shkruar Gashani.
Ai u ka uruar sportistëve dhe trajnerëve sukses në garat e ardhshme, duke i falënderuar për përfaqësimin e Kosovës në “Taranto 2026”.





