Përgatiti: Benita Zeneli
Mësimdhënësit që tashmë mbushin 7 vjet përvojë pune, së shpejti gjatë këtij viti do të kenë mundësi të aplikojnë për licencën e avancuar.
Licenca, sipas Ministrisë së Arsimit, do t’iu mundësojë edhe rritje të pagës.
“Nënkupton dy pjesë të provimit, atë me shkrim dhe e dyta nga inspektorati. Për këtë licencë mësimdhënësit do të kenë ngritje të pagës dhe kemi mendu që të jetë 1.2 e vlerës së koeficientit, që nëse e shohim me koeficientin që është sivjet, i bie diku 140 euro shtesë për mësimdhënësit e dalluar”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Mundësinë e licencimit e ka mirëpritur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, pasi deri më tani një licencë të tillë nuk e posedon asnjë nga mësimdhënësit.
Ndërkohë, në nivel vendi, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 750 mësimdhënës që kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi.
Ndërkohë, MASHTI është në fazën finale të përgatitjes së platformës digjitale për procesin e aplikimit dhe pajisjen me licencë të mësimdhënësve, platformë e cila do të lansohet në e-Kosova.





