Kylian Mbappé po vazhdon të lërë gjurmë në historinë e futbollit botëror, duke vendosur rekorde të reja me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026.
Sipas të dhënave të Opta, sulmuesi francez është lojtari i vetëm në 60 vitet e fundit që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të paktën 10 gola në dy edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Në Botërorin e vitit 2022 ai regjistroi 10 kontribute në gola, me tetë gola dhe dy asistime, ndërsa në edicionin e vitit 2026 ka arritur në 11 përfshirje direkte, falë tetë golave dhe tre asistimeve.
Ylli i Real Madridit ka vendosur edhe një rekord tjetër historik, duke u bërë futbollisti me më shumë gola që i kanë dhënë epërsinë kombëtares së tij në Kupën e Botës. Deri tani, tetë nga golat e tij në këtë turne kanë kaluar Francën në avantazh, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e kompeticionit.
Mbappé është gjithashtu pranë një rekordi tjetër të madh. Me 11 përfshirje direkte në gola në Botërorin 2026, ai po i afrohet arritjes legjendare të Gerd Müller, i cili në Kupën e Botës 1970 ishte përgjegjës për 13 gola, duke shënuar 10 dhe asistuar në tre të tjerë.
Rekordet e francezit nuk ndalen vetëm në Kupën e Botës. Në moshën 27-vjeçare, ai është bërë lojtari i parë në historinë e kombëtares së Francës që ka kaluar shifrën e 100 përfshirjeve direkte në gola, me 64 gola dhe 37 asistime.
Me ritmin që po mban, Mbappé po forcon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.





