Kurti dhe Vuçiq, mund të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm

Përgatiti: Fatlum Jashari

Bashkimi Evropian synon që në Shtator të organizojë një takim të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, njoftoi se takimi do të ketë në fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e kërkesave të 3 Qershorit, për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.

Tri ditë para takimit Kurti-Lajcak, Kosova shtyu për dy javë ultimatumin për lirimin e objektit komunal në Mitrovicë të Veriut nga strukturat ilegale, dhe e vendosi në diskutim publik
udhëzimin administrativ për procedurat për largimin e kryetarëve.

Udhëzimi që u mundëson qytetarëve të iniciojnë shkarkimin e kryetarit të komunës pritet të miratohet para fundit të javës.

Me këto veprime, sipas profesorit Tomorr Avdia, Qeveria ka bërë hapa të mjaftueshëm për të krijuar hapësirën e kërkuar nga Bashkimi Evropian.

“Presioni të jetë i dyanshëm dhe në koordinim për të dhënë efekte, sepse nëse një partneri të vogël e të dobët si shteti ynë i ushtrohet presion tejmase dhe palës tjetër Serbisë, janë të kujdesshëm, nuk e bëjnë një gjë të tillë në proporcion me forcën që ka Serbia, atëherë raportet mund të eskalojnë në forma të tjera”, tha Avdia.

Në këtë kontekst, profesori Seb Bytyçi vlerëson se duhet kujdes, pasi çdo veprim në terren i Kosovës mund shërbejë si arsye për mos-heqje të masave.

“Nxjerrja e U.A. është në përputhje me kërkesat e BE-së dhe marrëveshjes për deeskalimin, pra kemi të bëjmë me përgatitjen e terrenit për zgjedhje, kurse çështja e ndërtesës delikate, sepse çdo lëvizje e Kosovës kontrollohet me sy të ashpër”, tha Bytyçi.

Profesori Avdia thekson nevojën që, në takimin e radhës, BE-ja t’ua bëjë të qartë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, përmbushjen e kërkesave dhe zotimeve për të lëvizur procesin përpara.

“Krijimi i një mini-krize të re debalancon komplet procesin, jo vetëm atë të zgjedhjeve, por edhe hapat tjerë të cilët negociatorët përpiqen t’i japin një ritëm më të shpejtë në këtë fillim-vjeshte, sepse duket se gongu po troket në mbarim të këtij afati të këtij viti”, tha Avdia.

Takimi i fundit direkt ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, u zhvillua më 2 Maj, ndërsa më 22 Qershor, në Bruksel, liderët e dy shteteve zhvilluan takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA