Me një votë për dhe pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema.
Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material si dhe mospërputhje ndërmjet pikëzimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli vlerësues.
Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli vlerësues ta rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.
Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, tha se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë. Sipas tij, kandidati nuk ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e ngritura dhe ankesa nuk tregon se cili element i vlerësimit duhet të ndryshohet.
“Kam kërkuar dokumente shtesë në ankesë, por nuk kam arritur ta gjej interesin e kandidatit në fjalë, se çfarë ka kërkuar të ndryshohet, pasi të drejtën që e ka kërkuar e ka fituar. Mendoj se diskrecioni ka qenë në përputhje me rregulloren. Ankesa nga kandidati duhet të mbështetet në prova. Ankesën e kemi pranuar vetë, i kam dëgjuar intervistat, por nuk mund të shkojmë tutje nëse nuk kemi interes juridik se çfarë duhet të ndryshohet, ngase ajo për të cilën është atakuar, ajo e drejtë është e fituar. Unë qëndroj në argumentimin tim që e njëjta ankesë të refuzohet”, tha ai.
Vuniqi shtoi se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por shpreh vetëm mospajtim me pikëzimin e marrë.
Gjatë diskutimit, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se Këshilli duhet ta vlerësojë ankesën vetëm mbi bazën e kritereve dhe shtyllave të përcaktuara në procesin e vlerësimit.
“Sa i përket barrës së provës, konsideroj se është duke u bërë një interpretim i gabuar, sepse kandidati, jo vetëm ky, por edhe të tjerët, nuk kanë se si të sigurojnë prova se çfarë ta mbështesin. Konsideroj se sa i përket barrës së të provuarit nuk mund të kërkohet që kandidatët të dorëzojnë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre. Duhet të bazohemi në tri shtylla: vlerësimin e kryer nga paneli, të cilin nuk e kemi sot para vetes, intervistën, ku mund të shohim më së miri kandidatët, dhe e treta është kundërshtimi. Mbi këto baza mund të dalim në një vlerësim më të qartë”, tha ai.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se për të është me rëndësi të kuptohet se në çfarë mase KPK-ja ka pasur mundësi të ushtrojë kontroll efektiv mbi vlerësimin e bërë nga Paneli vlerësues.
Në të njëjtën mbledhje, me gjashtë vota për u miratua edhe autorizimi i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin para Gjykatës Kushtetuese si dhe për dorëzimin e komenteve lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. /kp/





