Kosova U15 e mbyll me fitore pjesëmarrjen në festivalin botëror të FIFA-së

Kombëtarja U15 e Kosovës e ka përmbyllur me fitore pjesëmarrjen në Festivalin Botëror të FIFA-së për grupmoshën U15, i cili u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit. Dardanët e rinj triumfuan me rezultat të thellë 6-1 ndaj Burundit në ndeshjen e fundit të këtij aktiviteti, e cila u përcoll nga afër edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Paraprakisht, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani ishte eliminuar në çerekfinalen e nivelit D, pasi kishte pësuar humbje 3-2 nga Republika Dominikane në ekzekutimin e penalltive. Koha e rregullt e kësaj përballjeje kishte përfunduar me rezultat 1-1.
Reklamë
Në përgjithësi, Kosova pati një rrugëtim me shumë ndeshje dhe përballje të rëndësishme në këtë festival, të organizuar për herë të parë nga FIFA. Gjatë këtij aktiviteti, Dardanët U15 arritën fitore ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit, ndërsa pësuan humbje nga Estonia, Franca, Republika Dominikane dhe Lituania.
Përtej rezultateve, kjo pjesëmarrje ishte një përvojë e vlefshme për futbollistët e rinj kosovarë, të cilët patën mundësinë të matin forcat me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës.
Përzgjedhësi Ilir Nallbani është shprehur i kënaqur me angazhimin, disiplinën dhe karakterin e treguar nga futbollistët gjatë 12 ditëve të qëndrimit në Baku.
Ai ka vlerësuar se, pavarësisht kalendarit të ngjeshur dhe ngarkesës së madhe fizike, futbollistët arritën të përballojnë lodhjen dhe të japin maksimumin në secilën ndeshje.
Duke komentuar eliminimin nga Republika Dominikane, Nallbani ka theksuar se Kosova zhvilloi një paraqitje të mirë dhe kishte potencial për të shkuar edhe më larg në këtë garë, por fati nuk ishte në anën e saj gjatë ekzekutimit të penalltive.
Sipas përzgjedhësit, në rast të kalimit të kësaj pengese, Dardanët kishin mundësi reale të arrinin deri në finalen e nivelit D.
Në fund, Nallbani ka shprehur kënaqësinë për paraqitjet e futbollistëve, duke shpresuar që përvoja e fituar në Baku të shërbejë si motiv shtesë për të vazhduar punën dhe përkushtimin, në mënyrë që në të ardhmen të jenë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës.
Reklamë











