Raporti: Fatlum Jashari
Korporata për Ruajtjen e Energjisë – KRE, e themeluar me vendim të Qeverisë më 13 Mars, nuk pritet të funksionalizohet këtë vit.
Për vënien në veprim të ndërmarrjes së re publike janë të domosdoshme një seri veprimesh – nga miratimi i akteve të brendshme deri te rekrutimi i stafit drejtues.
Pa dhënë një datë të synuar për miratim, në një përgjigje për ATV-në, Ministria e Ekonomisë njoftoi se tashmë është hartuar draft-statuti i KRE-së.
“Në fund të vitit 2024, pritet të emërohet edhe Bordi i Drejtorëve, i cili do merret kryesisht me miratimin e rregulloreve të këtij organi, siç parashihet edhe në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, si dhe do të rekrutojë Kryeshefin Ekzekutiv. Ndërmarrja do të funksionalizohet tërësisht pas rekutimit të Kryeshefit dhe stafit përgjegjës në vitin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjën nga Ministria e Ekonomisë.
Në këto rrethana, nuk ka ende hapa konkret drejt licencimit për operim.
“Ju informojmë se ZRRE-ja nuk ka pranuar kërkesë për Licencim nga ndërmarrja te cilës i referoheni”, thuhet në përgjigjen e ZREE-së.
Meqë legjislacioni në fuqi nuk rregullon aspektet e ruajtjes së energjisë, për licencimin e KRE-së duhet pritur miratimin e Projektligjit për Energjinë – i cili kaloi procesin e konsultimit publik në muajin Mars.
“Pas miratimit të këtyre draft-ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, ZRrE në bashkëpunim me palët kyçe të sektorit të energjisë do të hartojnë rregullat teknike dhe kërkesat rregullative për operimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigjën nga Ministria e Ekonomisë.
Themelimi i Korporatës për Ruajtjen e Energjisë ishte parakusht për nisjen e zbatimit të programit Kompakt me agjencinë amerikane Korporata e Sidës së Mijëvjeçarit – MCC, në vlerë të përgjithshme 236 milionë dollarë.
Nëpërmjet këtij projekti pesë-vjeçar, Kosova synon të instalojë bateri për ruajtjen e energjisë, në kapacitet deri në 340 megavatë orë, me qëllim lehtësimin e integrimit burimeve të ripërtërishme në sistem.
Më shumë detaje i gjeni ën Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





