Kolapsi i Shtetit në Badovc

Gjatë vikendit e kisha idenë që të merrem me dy tragjedi që ndodhën në rajon dhe të tentoj të alarmoj për situatën në Kosovë.

Vërshimet në Bosnje e Hercegovinë kanë vrarë më shumë se 20 veta dhe ka të tjerë të pagjetur, shumica kanë vdekur në Donja Jablanicë, një vend banim që gjendet nën një gurëthyes të madh, që
për më shumë se 20 vjet ka punuar ose pa licencë, ose duke shkelur kushtet i licencës.

Edhe një herë, një gurëthyes, për 20 vjet ka përdorë vazhdimisht eksploziv pa licencë, ose në kundërshtim me licencën, e ka gërry malin, e ka shkatërrua mjedisin dhe pas reshjeve të mëdha, kemi tragjedinë më të madhe nga vërshimet në këtë shekull.

Nën ujë gjatë vikendit ishte edhe Vlora, qyteti historik dhe turistik i shqiptarëve, që kur ka të reshura po paguan çmimin për planifikim të keq urban, për ndërtime të egra e shkelje tjera.
Meqë vala e të reshurve të mëdha në rajon, kësaj here e kurseu Kosovën, plani ishte që të merrem me paralajmërim, me tentim për alarm të situatës.

Ideja ishte që të mbushemi mend nga tragjedia në Bosnje e Hercegovinë, e më në fund të merremi me gurëthyesit që i kanë shkatërruar lumenjtë e Kosovës, me gurëthyes që kanë gërry male dhe ekosistem në Kosovë dhe shteti i ka toleruar.

Ideja ka qenë me tregu që në periudhën 2009 – 2014 kanë qenë rreth 200, 200 operatorë ilegal që kanë eksploatuar dhe degraduar lumenjtë e Kosovës.

Me fjalë tjera, nëse në kohën e Hashim Thaçit dhe kompanisë, ka ndodhë një krim i madh në këtë vend, ai krim është ndaj ambientit të këtij vendi dhe ndaj lumenjve që janë shkatërruar për përfitim të gurëthyesve dhe kompanive të lidhura me to.

Gjendja kuptohet që është e keqe edhe më tutje. Veç sa për ilustrim, për dy vjet në periudhën 2019 – 2021 nga 200 inspektime në terren, në 118 është shqiptuar vendim për ndalim pune.

60 % të inspektimeve në lumenj janë pasuar me vendime për ndalim pune, e numri është edhe më i madh, meqë nuk është inspektuar krejt Kosova.

Ideja ka qenë që nga një tragjedi në Bosnje e Hercegovinë, të mos raportojmë sikur për një tragjedi në Zelandë të Re, sepse Bosnja e Kosova janë afër, kanë klimë të ngjashme, janë shtete jo serioze dhe të korruptuara deri në asht, kanë lejuar gurëthyesit të shkatërrojnë mjedisin dhe nuk kanë kapacitete të kërkim shpëtimit kur ndodhin vërshime të mëdha.

Mirëpo, një tragjedi në Kosovë e ndërroi lojën – aksident trafiku në afërsi të urës së pariparuar të Badovcit, tre të vdekur!

Pyetja e parë është – a jeni normal? Shumë thjesht – a jeni normal? Qysh është e mundshme mos të përfundohet një urë që më shumë se një vit.

Qysh është e mundshme të mos përfundojnë akse rrugore nga 20-30 kilometra që 7, 8 ose 10 vjet, qysh është e mundshme që ndërrohen 4-5 kabinete qeveritare, ka rrezik që është gjashtë të ndërrohen dhe të mos përfundohen ca rrugë?

Çka jemi kah flasim, çfarë kot shteti është more ky?

Prapë, pse në Kuvend nuk dëgjoj debat dhe kërkesa për llogaridhënie për këto punë – sepse shumicën e deputetëve i kemi të lodhtë!

Edhe jo bre, nuk jam kah them që ministri aktual është përgjegjës për vdekjen e atyre tre të rinjve. Jam kah flas për një tragjedi që tregon që ka kollapsu shteti.

Tragjedia si kjo në Badovc duhet të shërbejë si alarm për ata që projektojnë, ata që ekzekutojnë projekte, për ata që japin buxhetin për zjarrfikës, për kërkim shpëtim, për polici, për
shërbime emergjente mjekësore, për prokurori dhe gjykata. Ky është zinxhiri i institucioneve publike që kanë dështu vazhdimisht dhe me mos punën e tyre kanë bërë që të vdesin tre të rinj në aksident.

Edhe nëse mendoni që jam kah e medializoj Badovcin, që është një tragjedi, por rast i izoluar, keq e keni! 15 mijë, 15 mijë, 15,000 aksidente kanë ndodhë në periudhën janar – gusht të këtij viti. 10 mijë veta të lënduar, 68 të vdekur në trafik, vec janar – gusht 2024.

Kuptohet që ministrat aktual kanë përgjegjësi më së shumti, por këto statistika nuk janë problem i një qeverie – këto janë dëshmi të një shteti në kollaps!!!

Nëse 6-10 vjet duhen që të përfundojë një rrugë, nëse për 16 vjet nuk ndërtojmë një qendër spitalore, nëse për 16 vjet nuk e ndërtojmë një bazën, një stadium, një termocentral, nëse 8 vjet duhet që të përfundojë një lëndë në gjykatë, nëse arsimin e kemi për faqe të zezë, shteti është në kollaps!!!

Njerëz, Uji i ndotur, ajri i ndotur, toka e gërryer, rrugët e këqija! Prej Kuvendit, mos pritni gjë, se s’keni çka me pritë, sepse politika këtë debat nuk e nisë, e edhe nëse e nisë, nuk e mban në fokus! Nëse edhe tragjeditë si kjo nuk e kthejnë debatin kah problemet reale, por do të vazhdoni të merreni me budallë të tiktokut – në rregull jemi!

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

Raporti Vjetor, jo i Progresit

Dikush hulumton, Liburni priton

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA

Raporti Vjetor, jo i Progresit

Dikush hulumton, Liburni priton