Shkruan; Prof..Dr. Fadil Maloku, sociolog
Ambicia apo synimi që VV ta vërë në bixhoz, apo në “Shtratin e Prokrustit” publik, kapitalin e saj politik me 66 deputetë, për shkak të dështimit për të gjetur një kompromis për zgjedhjen e Presidentit të vendit, tani janë dukshëm më reale dhe më të mundshme për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.
Mund të thuhet po ashtu se ky dështim i radhës në bisedat me dy subjektet opozitare nuk është thjesht një krizë numerike në Kuvend, por edhe një krizë e thellë e kulturës dhe mentalitetit tonë politik, që dëshmon mungesën e përgjegjësisë për të gjetur zgjidhje adekuate për situatat e krijuara artificialisht në demokracinë ende të brishtë kosovare. Ky fakt, sidoqoftë, dëshmon edhe mungesën e sensit, apo mungesën e nuhatjes së procesit të tranzicionit për t’u “shkurorëzuar” përfundimisht nga logjika e konfliktit dhe smirës midis liderëve aktualë. Në këtë drejtim, dështimi na “delegon” edhe një mesazh tejet të qartë: se demokracia procedurale ahtisariane që po ndërton Kosova gati tri dekada është bërë një “këmishë” e ngushtë kundruall nivelit të emancipimit tonë politik.
Në gjykimin sociologjik, këtu kemi të bëjmë me dy qasje apo dy qëndrime diametralisht të kundërta: njëra ka të bëjë me insistimet e pareshtura për të avokuar e zbatuar “standardet” e demokracisë formale procedurale (ku kryesisht identifikohen partitë opozitare), ndërsa tjetra që po tenton ta imponojë VV përmes “standardeve të një Republike të tretë”, apo një demokracie të re normative. Nga ky këndvështrim shihet qartë se kemi të bëjmë me “beteja” të ashpra për ta ndryshuar rrënjësisht narrativën mbi shtetin dhe demokracinë e Kosovës. Dhe në gjithë këtë “odisejadë”, unë shoh edhe një tendencë tjetër: atë të “betejave” të munguara ideologjike, që për demokracinë tonë tranzitore duket edhe e shëndetshme, në kuptimin e rirreshtimit apo resetimit ideologjik të partive kryesore. Them kështu, për shkak se gjatë gjithë periudhës së pasluftës ne vetëm formalisht kemi pasur parti me orientime ideologjike, pa profilizime të qarta. Tani, kriza ekonomike dhe ajo gjeopolitike kanë shumë gjasa që partitë ekzistuese t’i fusin në obligime transformuese dhe në narrativa të reja konkurruese, nëse dëshirojnë të mbesin në tregun politik kosovar. Në rast se ndodh e kundërta, jam shumë i bindur që rrethanat që po “trokasin” në zhvillimet e reja do të “prodhojnë” subjekte dhe liderë të rinj.
Një fakt tjetër, që shumë pak analistë e ndërlidhin me këmbënguljen e Kurtit, ka të bëjë edhe me sfidat e reja gjeopolitike me të cilat Kosova, për shkak të marrëveshjeve që i ka bërë, duhet të përballet. Duke mos harruar këtu edhe kompromisin që vetë Kryeministri Kurti e ka bërë me aktin e pranimit të marrëveshjes me Serbinë për një “vetëmenaxhim” të serbëve të veriut, që, dorën në zemër, është një kompromis i dëmshëm për Kosovën. Sepse “vetëmenaxhimi”, de facto, është një “Republika Srpska” në Kosovë.
Pra, kur mblidhen të gjitha këto fakte, kuptojmë se dështimi për të arritur konsensus për një figurë unifikuese si Presidenti, midis tjerash, na tregon se besimi ndërpartiak është pothuajse zero, se mungon kultura e kompromisit dhe se institucionet e shtetit perceptohen jo si hapësira të përbashkëta politike që kanë si qëllim final interesin publik, por si mjete dominimi e shantazhi për “mirëmbajtjen” e pushtetit. Kurse dialogu ndërpartiak shihet sheshazi si kalkulim elektoral, e jo si vlerë e “etikës së diskursit” që prodhon legjitimitet.
Dështimi duhet parë edhe si pasojë e mungesës së instalimit të një parimi dhe norme demokratike, ku liderët duhet të sillen konform rregullave dhe “lojës” politike që i kanë pranuar paraprakisht. Parime këto që, kur nuk respektohen nga subjektet politike, i shtyjnë qytetarët ta humbin besimin te vota si instrument ndryshimi dhe ta rrisin indiferencën e tyre politike karshi ngjarjeve të ripërsëritura, siç ndodhi me ngërçin e vitit të kaluar, por edhe me këtë të fundit rreth (mos)zgjedhjes së Presidentit/es.






