Ajo ishte një grua që dukej se i kishte të gjitha: edukim të privilegjuar, arsim të mirë dhe një rreth të gjerë miqsh. Por Jasveen Sangha kishte një sekret të errët që disa nga miqtë e saj më të ngushtë thonë se ua kishte fshehur edhe atyre. Me shtetësi të dyfishtë britaniko-amerikane, ajo ishte një tregtare droge për të pasurit dhe të famshmit e Hollivudit, e cila drejtonte një “shtëpi të fshehtë” ku mbante kokainë, Xanax, pilula të rreme Adderall dhe ketaminë. Biznesi i saj – dhe iluzioni i jetës së saj magjepsëse – mori fund papritur pasi furnizoi me 50 shishe ketaminë që iu shitën aktorit të serialit “Friends”, Matthew Perry, përfshirë edhe dozën që çoi në vdekjen e tij në vitin 2023.
Tashmë, Sangha është mes 5 të tjerëve, përfshirë 2 mjekë, të cilët kanë pranuar fajësinë për veprat penale në vdekjen e Perry.
Në shkurt, Sangha pritet të jetë e pandehura e fundit në këtë rast, i cili zbuloi një rrjet të fshehtë të drogës ketamine në Los Angeles. Ajo mund të përballet me një maksimum prej 65 vjetësh burg federal. Bill Bodner, agjent special përgjegjës për zyrën e Administratës Kundër Drogës (DEA) në Los Angeles në kohën e vdekjes së Perry, i tha BBC-së se ajo ishte “një person me arsim të lartë që vendosi të siguronte jetesën duke trafikuar drogë dhe t’i përdorte ato para nga trafikimi i drogës për të financuar këtë personazh ndikues në mediat sociale”
Ai tha se Sangha po drejtonte një “operacion të madh trafikimi droge që i shërbente elitës së Hollivudit”.
Prokurorët kanë theksuar se Perry merrte sasi të ligjshme dhe me recetë të ketaminës për të trajtuar depresionin, por më pas filloi të kërkonte më shumë sesa lejohej nga mjekët e tij.
Dokumentet e gjykatës që lidhen me hetimin federal tregojnë se kjo e çoi atë te disa mjekë dhe më pas te një tregtar që siguronte drogën për Sangha nëpërmjet një ndërmjetësi. Avokati i saj, Mark Geragos, ka thënë se Sangha po merr përgjegjësinë, por ka mohuar se ajo e njihte Perry, i cili ishte i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin e gjatë Friends.
“Ajo ndihet tmerrësisht keq. Është ndjerë tmerrësisht keq që nga dita e parë”, u tha Geragos gazetarëve pasi ajo u deklarua fajtore në këtë çështje. “Kjo ka qenë një përvojë e tmerrshme.”
Javë para vdekjes së Perry, Sangha foli në telefon me mikun e saj të vjetër, Tony Marquez. Ai dhe të tjerë rrëfyen për BBC, në një dokumentar që shqyrton rrethanat e vdekjes së Perry. Kjo shënon herën e parë që miqtë e saj kanë folur hapur për gruan që është bërë e njohur në të gjithë botën si “Mbretëresha e Ketaminës”.
Sangha dhe Marquez njiheshin që nga vitet 2010, dhe ai tha se madje kishte takuar edhe familjen e saj. Ashtu si Sangha, Marquez ishte gjithashtu një frekuentues i rregullt i festave në Los Angeles. Ai është përballur gjithashtu me probleme ligjore për drogën dhe ka një dënim të mëparshëm për trafik droge. Por, teksa të dy kishin një histori të gjatë, ai thotë se Sangha nuk i la të kuptohej kurrë se ajo ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Vetëm pak muaj më parë, shtëpia e saj në Hollywood, të cilën prokurorët e quajtën “shtëpi fshehjeje”, ishte bastisur nga policia. Jash Negandhi ndoqi Universitetin e Kalifornisë, Irvine me Sangha në vitin 2001, dhe ata kanë mbetur miq për më shumë se 20 vjet. “Ajo ishte shumë e dhënë pas skenës së muzikës dance,” kujton Negandhi. “Ajo i pëlqente të kërcente dhe të argëtohej.” Negandhi tha se u habit nga zbulimi se shoqje e tij ishte një trafikante droge.
“Unë nuk dija asgjë,” thotë ai. “Absolutisht asgjë. Ajo nuk kishte folur për këtë.” Sigurisht, shumica e miqve supozonin se ajo nuk kishte nevojë për para. “Ajo gjithmonë kishte para,” thotë Marquez. “Ajo udhëtonte kudo me avion privat dhe e bënte këtë përpara se gjithçka të shpërthente.”
Gjyshërit e Sanghas ishin multimilionerë të shitjes me pakicë të modës në Londrën Lindore, sipas “The Times” dhe Sangha, vajza e sipërmarrësit Nilem Singh dhe Dr. Baljeet Singh Chhokar do të trashëgonte pasurinë e familjes.
[Ketamine Queen’ Jasveen Sangha made bizarre posts days before her arrest in Matthew Perry’s death]
Nëna e saj u martua dy herë dhe u transferua në Calabasas në Kaliforni, ku Sangha u rrit. Shtëpia e familjes së saj në Los Angeles është “e bukur” dhe “e madhe”, sipas Marquez. “Ne organizuam një festë në pishinën e shtëpisë së prindërve të saj,” thotë ai. “Ata janë shumë të kujdesshëm, shumë të dashur dhe na trajtuan sikur të ishim fëmijët e tyre.”
Sangha kaloi kohë në Londër pas shkollës së mesme dhe u diplomua me në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit Hult në Londër në vitin 2010. Në fotografi, ajo mund të shihet duke buzëqeshur ëmbëlsisht në kamera me një kostum elegant të zi me flokë ngjyrë kafe të drejtuar gjatë një vizite në “Financial Times” në vitin 2010.
“Ajo nuk dukej si mashtruese,” vëren një ish-shoqe klase. Sangha ishte miqësore, megjithëse disi e ftohtë. Ajo vishte rroba firmato në klasë dhe i pëlqente të shoqërohej. Nuk kishte thashetheme për përfshirje në drogë. “Nëse ajo do të ishte përdoruese në Hult, ndoshta do ta dinim.”
Ajo u kthye në Los Angeles menjëherë pas marrjes së diplomës. Nëna dhe njerku i Sangha-s drejtonin KFC në Kaliforni dhe u paditën nga kompania për më shumë se 50,000 dollarë në vitin 2013 për mospagimin e honorareve ndaj kompanisë për përdorimin e markës së saj.
Njerku i Sanghas shpalli falimentimin përpara se çështja të përfundonte. Nëse familja e Sanghas po përjetonte vështirësi financiare gjatë kësaj periudhe, megjithatë, ajo nuk ua zbuloi shumë njerëzve. “Nuk dëgjova asgjë për këtë,” thotë Negandhi.
Sangha dukej se donte të arrinte sukseset e prindërve të saj. Ajo hapi një sallon thonjsh “Stiletto Nail Bar”, i cili nuk funksionoi shumë dhe foli me miqtë për ambiciet e saj, përfshirë edhe zotërimin e një franchise restorantesh.
Por interesi i saj i vërtetë dukej se ishte të kalonte kohë në klube. Në Los Angeles, ajo kishte një rreth të ngushtë miqsh të quajtur “Kitties”, sipas Marquez, i cili ishte një klikë kryesisht shoqesh femra që pëlqenin të organizonin festa – ku merrnin pjesë personazhe të famshëm.
Ata shpesh takoheshin në Avalon, një teatër historik në zemër të Hollivudit që pret koncerte dhe evente të muzikës elektronike, dhe festonin deri në orët e para të mëngjesit. Ai thotë se merrnin pilula dhe ketaminë. Ndonjëherë festat e tyre, të cilat i mbanin në të gjithë Kaliforninë, zgjasnin me ditë të tëra.
[Ketamine Queen’ Jasveen Sangha went to Japan right after Matthew Perry died]
“Ne bënim udhëtime në Liqenin Havasu, merrnim me qira një rezidencë të madhe të vjetër dhe sillnim DJ-të tanë, të gjitha sistemet e fonisë, dhe çdo natë ishte fantastike”, thotë Marquez. “Ne visheshim të gjitha me rroba të mira dhe bënim një festë të gjatë, me shkëlqim”. Në këto festa “gjithmonë përfshihej ketamina”, thotë ai. Por edhe pse Sangha kishte shumë nofka brenda kësaj klike miqsh, askush nuk e njihte kurrë si “Mbretëresha e Ketaminës”. “Askush nuk e quante kështu,” thotë Marquez.
Grupi ishte i shqetësuar për furnizimin e paligjshëm të drogës me opioidin vdekjeprurës fentanil, dhe për këtë arsye bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar sasi të mëdha të ketaminës me cilësi të lartë. “Nëse do të përdornim ketaminë, donim ta merrnim nga burimi,” thotë Marquez.
Miqtë dyshohet se përdorën korrierë për të shkuar në Meksikë për të marrë drogën, i cili përdoret si qetësues gjatë operacionit, nga veterinerët dhe farmacitë e korruptuara përtej kufirit. “Nuk e dija që Jasveen ta bënte këtë,” thotë Marquez.
“Por a kishim qasje? A kishim njerëz që e bënin? Po.” Marquez pretendon se nuk dyshoi kurrë se Sangha po merrej me drogë në mënyrë anësore: “Është tronditëse, po ju them.”
“Vite e vite e njoh këtë person. E njoh familjen e saj. E di mënyrën se si sillet, e di se çfarë është e aftë të bëjë. E di nga vjen. Nuk mundem ende sot e kësaj dite nuk mund ta besoj që kjo po ndodh”, thotë ai. Duke parë prapa, Marquez dyshon se Sangha u bë “e varur” nga statusi shoqëror që vinte me të qenit një tregtare droge për të pasurit dhe të famshmit. “Unë vërtet besoj se Jasveen ishte e varur nga ajo jetë e trafikimit me personazhe të famshëm”, thotë ai. “Ajo ishte e varur nga të qenit në atë rreth shoqëror dhe nga të qenit e kërkuar nga personazhe të famshëm që njerëzit i kanë parë gjithë jetën në TV”.
Ai tha se beson se ajo nuk ishte kurrë një “krijuese” ose një tregtare e madhe, por thjesht ra në këtë tregti sepse “i pëlqente të merrte ketaminë, ashtu si të gjithë ne”.
Prokurorët kanë thënë se në vitin 2019, Sangha ia shiti ketaminën një burri të quajtur Cody McLaury. McLaury përjetoi një mbidozë dhe vdiq. Pas vdekjes së tij, motra e tij i dërgoi një mesazh Sanghas për t’i thënë se droga që i kishte shitur vëllait të saj e kishte vrarë atë.
“Në atë pikë, çdo person i arsyeshëm do të kishte shkuar në forcat e rendit dhe sigurisht çdo person me sadopak zemër do të ndalonte aktivitetet e tij dhe nuk do të shpërndante më ketaminë tek të tjerët”, – thotë Martin Estrada, ish-kryeprokurori për Distriktin Qendror të Kalifornisë, i cili njoftoi akuza federale kundër Sanghas në gusht 2024.
“Ajo vazhdoi ta bënte këtë dhe pamë, disa vite më vonë, vazhdimin e sjelljes së saj rezultoi në vdekjen e një personi tjetër, z. Perry.” Një mik tjetër nga një rreth tjetër që shkonte në klube me Sangha në vitet 2010 kujton se u habit po aq shumë nga lajmi. Ai i tha BBC-së se e kishte njohur Sangha që nga shkolla e mesme dhe shoqërohej gjerësisht me të në të njëjtën kohë me Marquez.
Miku nuk donte të identifikohej, në mënyrë që të mund të fliste sinqerisht për gruan që njihte, e cila tani “akuzohet si bos droge”. “Ne ishim gjithmonë në festa, si çdo natë. Për shumë, shumë vite,” – thotë ai. “Ajo nuk më ofroi kurrë asgjë.” Ai kujton se Sangha e merrte xhaxhain e saj Paul Sing me vete pothuajse kudo që shkonte. “Nuk është tamam sjellje e një baroni droge,” thotë ai. “[Dhe] nuk ishte sikur ajo e linte të shkonte me vete. Ai ishte gjithmonë i veshur sipas modës.”
Paul Sing shfaqet në fotot e eventeve me Sangha-n dhe ishte i pranishëm në gjykatë për ta dëgjuar atë të pranonte fajësinë më 3 shtator. Në një moment në vitet 2020, Sangha ndoqi rehabilitim, sipas Marquez. Në dosjet gjyqësore muajin e kaluar, avokati i saj Mark Geragos pretendoi se ajo kishte qenë esëll për 17 muaj. Në bisedën e saj të fundit me Negandhi-n, ata folën për të ardhmen.
“Ne të dy ishim në të 40-at dhe tenton të vetëvlerësohesh kur arrijmë në atë moshë. Dhe, fillon të mendosh, çfarë duam të bëjmë tani që kemi arritur këtë moshë?” thotë ai. “Ajo ishte shumë e emocionuar që do të ishte e pastër për një kohë të gjatë dhe mezi priste shumë gjëra në jetë.” Sangha nuk përmendi se ishte arrestuar së fundmi. “Nuk e kisha idenë se po kalonte nëpër të gjitha këto kur po flisnim,” thotë ai. “Ajo nuk kishte zbuluar asgjë prej tyre.”







