Irlanda kërkon fitoren ndaj Kosovës, Parrott: Kemi ende një mundësi të madhe

Kombëtarja e Irlandës ka kthyer vëmendjen te përballja me Kosovën, e cila zhvillohet të martën në Dublin, në kuadër të xhiros së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Pas humbjes 1-0 nga Austria, irlandezët janë të detyruar të fitojnë ndaj Dardanëve për t’i kaluar ata në renditje dhe për të siguruar pjesëmarrjen në plejofin për promovim në Ligën A. Në anën tjetër, Kosovës i mjafton edhe barazimi për ta siguruar pozitën e dytë.
Reklamë
Sulmuesi kryesor i Irlandës, Troy Parrott, është shprehur optimist se skuadra e tij mund ta arrijë objektivin, pavarësisht disfatës së pësuar në Linz.
“Ne erdhëm për të fituar. Nuk ia dolëm sot, por të martën kemi ende një mundësi të madhe për të arritur atë që dëshirojmë”, deklaroi Parrott pas ndeshjes me Austrinë.
Ai theksoi se Irlanda kishte krijuar disa raste shënimi gjatë takimit, duke e vlerësuar këtë si një aspekt pozitiv që skuadra mund ta marrë me vete në përballjen ndaj Kosovës.
Edhe përzgjedhësi Heimir Hallgrímsson ka folur për rëndësinë e sfidës me Dardanët, duke zbuluar se ndeshja ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë në fokusin e planeve të tij.
“Ne nuk kemi dashur t’i humbim lojtarët më të rëndësishëm për ndeshjen e ardhshme. Gjithmonë e kemi ditur se ndeshja me Kosovën është më e rëndësishmja. Por ishim shumë afër që të fitonim ndaj Austrisë dhe të ishim në gjendje ta fitonim grupin”, deklaroi Hallgrímsson.
Kujtojmë se Kosova kishte triumfuar në përballjen e parë ndaj Irlandës me rezultat 1-0, më 24 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri”, falë golit të Vedat Muriqit.
Tashmë, irlandezët synojnë të marrin fitoren para tifozëve të tyre, ndërsa Dardanëve u mjafton të shmangin humbjen në Dublin për ta siguruar pozitën e dytë në grup.
Reklamë








