11.5 C
Pristina
E enjte, 22 Shkurt, 2024

​Grafitet e reja në veri, pozitë dhe opozitë shprehen të shqetësuara

Vendosja e grafiteve në katër komunat veriore me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”, po shihen si shqetësuese nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Pozitë dhe opozitë thonë situata në veri, mbetet e brishtë për shkak të tendencave të Serbisë që përmes grupeve të caktuara të destabilizojë situatën atje.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se paraqitja e grafiteve të reja në veri është marrë me shqetësim dhe seriozitet nga organet kompetente të sigurisë. Sipas saj, të gjitha informacionet tregojnë se Serbia asnjëherë nuk është ndalur për të destabilizuar veriun e vendin.

“Është evidente që situata e sigurisë në veriun e vendit mbetet e brishtë, për shkak të pretendimeve dhe rrezikut potencial që ekziston nga grupe të caktuara të mbështetura nga Serbia. Paraqitja e grafiteve natyrisht që është marrë me shqetësim por edhe seriozitet të organeve kompetente. Siç e dini menjëherë janë aktivizuar policia dhe prokuroria për identifikimin e autorëve të paraqitjeve të këtyre grafiteve…Sa i përket situatës të paraqitjes së sulmit terrorist të Banjskës të shtatorit të vitit të kaluar, të gjitha informacionet tregojnë se asnjëherë nuk kanë rreshtur pretendimet e Serbisë për destabilitet të Kosovës. Por gjithashtu edhe gatishmëria dhe përgatitja e organeve të vendit dhe forcës ndërkombëtare është treguar se është në nivelin e duhur”, theksoi ajo.

Si pasojë e kësaj, Kusari-Lila shtoi se është shtuar edhe siguria personale e udhëheqësve të shtetit. Siç deklaroi, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, informacionet tregojnë se ka potencial se të njëjtit mund të jenë target i sulmeve nga Serbia.

Megjithatë, ajo nuk pranoi të shpalos detaje për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ku qëndroi gjatë javës së kaluar.

“Në rastin specifik nuk mund të flas për diçka që është në konfidencialitet të lartë dhe përbënë informacione të inteligjencës. Por ajo çka mund të them është se vazhdohet të mbetet një situatë kur grupe të caktuara kriminale asnjëherë nuk kanë rreshtuar për të destabilizuar vendin, apo paraqitur rrezik për vendin. Qoftë përmes sigurisë personale të krerëve të shtetit, apo krijimin të incidenteve të tjera”, shtoi Kusari Lila.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Kurti, tha se profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, por në identifikimin e autorëve. Sipas tij, është për keqardhje që një lajm i tillë u demantua nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.

“Profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, pasi atëherë nuk identifikohet asgjë. Profesionalizmi është me identifiku burimin e qartë dhe me neutralizu diçka të tillë. Shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë, qoftë ndaj kryeministrit apo cilido lider që ndodh në vendin tonë. Ju e dini se të kaluarën jo shumë të largët ka pasur kërcënime edhe për liderët e opozitës, të cilët tashmë janë në mbrojtje të policisë. Por vërtet është për keqardhje kur brenda një periudhe disa orëshe me u demantu nga një shtet i cili ishte mikpritës i kryeministrit të Kosovës. Kjo është shumë e pahijshme dhe kjo i vë një hije të keqe AKI-së dhe institucioneve të sigurisë. A kemi të bëjmë vërtet me një kërcënim apo vetëm me rrjedhjen e një lajmi të rrejshëm. Nuk mendoj se duhet për interesa të kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve të sigurisë”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk e dinë se cili ka qenë niveli i kërcënimit ndaj kryeministrit Kurti, por, sipas tij çështje të tilla nuk duhet të përdoren për qëndrime politike.

“Cili ka qenë niveli i kërcënimit, këtë nuk e di. Veçse një shtet si Maqedonia e Veriut nuk guxon me bërë deklarim publik, nëse ekziston një komunikim zyrtar mes dy agjencioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në këtë temë…Normal si shqiptar me të kërcënuar dikush kryeministrin nuk ndihesh mirë, sikurse ndihem jo mirë kur një shtet detyrohet me të dematuar për një çështje, e cila siç po duket është përdorur për qëndrime politike”, theksoi ai.

Megjithatë, Tahiri deklaron se agjenda armiqësore e Serbisë dhe presidentit Vuçiq nuk do të ndalet asnjëherë për destabilizimin e Kosovës.

“Agjenda armiqësore e Serbisë, respektivisht presidentit Vuçiq as nuk u ndal deri sot dhe as nuk ka me vazhdu me u ndal. Synimi i tyre është destabilizimi i Kosovës dhe rrjedhimisht provokimi i gjendjes në Kosovë. Aleanca i ka qëndrimet shumë të thjeshta në këtë temë, sundimi i ligjit, shtrirja e sovranitetit dhe mbrojtja e integritetit tonë territorial është detyrë e qeverisë dhe ne si AAK i japim mbështetje për çfarëdo veprimi që është në këtë funksion. S’ka asnjë dilemë se a do të kthehet ushtria serbe në Kosovë, kjo është një ëndërr që e ëndërrojnë jo Serbia, por disa nacionalist. Ata e dinë sikur 1 plus 1 që bëjnë dy se kurrë asnjë ushtri më nuk do të kthehet dhe që ka kush i del zot kësaj Kosove. Qysh i ka dal UÇK-ja në vitin 1999, tash me ushtri dhe instrumente kur të dojnë t’ia mësyjnë. Por nuk e kanë atë guxim”, tha Tahiri.

Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahen tri seanca plenare.

Deputetët të mërkurën pritet të mblidhen për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbahen dy seanca të reja plenare, ku njëra do të shqyrtojë plotësim-ndryshimet kushtetuese për procesin e vetingut, ndërkaq tjetra marrëveshjet ndërkombëtare dhe pikat të tjera që janë në rend të ditës.

“Kuvendi për këtë javë do të mbajë tri seanca plenare. E para është ditën e mërkurë me 14 shkurt me fillim në ora 11:00. Kjo seancë do të shqyrtojë vazhdimet e seancave të papërfunduara të javës së kaluar, në të cilën janë të parapara katër votime…Ditën e enjte, seanca e re do të jetë në orën 10:00 në të cilën është një seancë e veçantë, në të cilën do të shqyrtohen plotësim-ndryshimet kushtetuese sipas propozimit të komisionit, i cili ka bërë shqyrtimin e procesit të vetingut…Vazhdon dita e enjte me një seancë tjetër të re. Seanca që fillon në orën 10:30 dhe ka pikat e rregullta të rendit të ditës, gjegjësisht deklarimet e rendit të ditës, kurse pyetjet parlamentare janë hequr me dakordim të grupeve parlamentare, ndërkaq vazhdohet me marrëveshjet ndërkombëtare”, tha shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të iniciojnë themelimin të dy komisioneve hetimore parlamentare, njëra për kontratat njëburimore dhe tjetra për tekstet shkollore.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri të ditur se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin për sigurime shëndetësore./KosovaPress/

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA