Gjendet trupi i pajetë i edhe një sulmuesi të dyshuar në veri

Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar të hënën se e ka gjetur trupin e pajetë të edhe një sulmuesi të dyshuar në veri të vendit, duke e çuar në katër numrin e sulmuesve të vrarë.

Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg “vendit të incidentit”, një ditë pasi një grup prej dhjetëra personave të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga prokurori Naim Abazi.

“Jemi duke bërë përpjekje ta identifikojmë atë për momentin, pasi nuk kishte dokumente identifikimi me vete”, tha Abazi.

Abazi tha se, po ashtu, është në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet tjetër me armatim.

Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë.

Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Të dielën, autoritetet kosovare thanë se tre sulmues u vranë gjatë sulmit, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Gjendja në veri të Kosovës të hënën është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga policia e Kosovës, pas sulmit vdekjeprurës të së dielës nga persona të armatosur dhe maskuar.

Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Ai i bëri thirrje grupit që t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA