Gërvalla në tri gjuhë: Daçiqi është përgjegjës për krime lufte

Fjalimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ministrja e Jashtme e Kosovës e kishte planifikuar ta mbajë në shqip, por një kërkesë e tillë iu mohua.

“Daçiq foli me gjuhë të popullit të vet, e jo në gjuhën angleze, siç bëjnë të gjithë. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë”, tha Gërvalla.

Por, kjo nuk e ndaloi kryediplomaten kosovare që në shqip ta akuzojë homologun serb për krime lufte.

“Vuçiq ishte ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit, për ngjarjet në Kosovë dhe ai ende po vepron si ministër propagande. Edhe ky që foli para nesh, ka qenë dora e djathtë e Kasapit të Ballkanit që është përgjegjës për luftërat në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Gërvalla.

Paraprakisht, në seancën qe u kryesua nga Rusia, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.

Ai gjithashtu e beri të qartë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

“Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë. Prishtina po e shmang qëllimshëm përmbushjen e këtij obligimi”, tha Daçiq.

Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, raporti u kritikua nga ministrja e Jashtme e Kosovës.

“UNMIK-u është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë”, theksoi Gërvalla.

Në raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë u vlerësua se korniza e re e dialogut mund të prodhojë zgjidhje afatgjate.

Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve. /atvlive.tv

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA