PËRGATITI: DRITON SADIKU
Në Kosovë nuk jetojnë por shtesa nga shteti marrin.
Rreth 6000 fëmijë të cilët nuk janë banorë rezidentë në Kosovë llogaritet se janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë.
Vetë ministri i financave pati treguar për numrin e përgjithshëm të fëmijëve përfitues, në ditën kur edhe i prezantoi këto shtesa.
“Bëhet fjalë për mbi 403 mijë fëmijë që tashmë aktualisht janë përfitues të skemës universale të shtesave të fëmijëve”, tha ministri i financave, Hekuran Murati.
Por në baze të statistikave nga regjistrimi i popullsisë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç, del se janë plot 397.140 fëmijë rezident. Krahasuar me numrin e fëmijëve përfitues, gati 6000 fëmijë që marrin këto shtesa, nuk jetojnë në Kosovë.
Andaj ekonomistët vlerësojnë se listat duhet të rishikohen, në mënyrë që ndihmat të shkojnë për ata që realisht kanë nevojë brenda vendit.
“Kjo është barrë për buxhetin e Kosovës, megjithatë që buxheti karshi vendeve tjera është shumë më i varfër andaj kishte me qenë mirë që të pastroheshin listat që të mos marrin shtesa edhe këtu edhe në vendet e bashkimit evropian sepse më mirë kishte me qenë që ata që jetojnë këtu të marrin më shumë shtesa e mos të ketë shtesa të dyfishta edhe këtu edhe në vende tjera”, deklaroi Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike.
Megjithatë Ministria e Financave muaj më parë filloi verifikim shtesë për disa llogari të prindërve, që përfitojnë shtesa për të kuptuar nëse ata vërtete jetojnë në Kosovë.
Por nga ky dikaster nuk treguan nëse nga ky verifikim është larguar ndonjë familje.
Kjo masë mbështetëse qeveritare për fëmijët, buxhetit të shtetit në total i kushton 120 milionë euro në vit./atvlive.tv





