Galatasaray ka konfirmuar se është ndëshkuar nga UEFA pas incidenteve të shkaktuara nga tifozët në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Juventus FC, e zhvilluar më 25 shkurt 2026 në Itali.
Sipas vendimit të Bordit Disiplinor të UEFA-s, klubi turk është gjobitur me 40 mijë euro dhe është dënuar që ndeshjen e ardhshme si mysafir në Ligën e Kampionëve ta zhvillojë pa praninë e tifozëve të tij.
Sanksioni lidhet me sjelljen e tifozëve në stadiumin e Juventusit, ndonëse në njoftimin zyrtar nuk janë bërë publike detaje të hollësishme mbi incidentet.
Në deklaratën e publikuar, Galatasaray thekson:
“Për shkak të incidenteve me tifozët që ndodhën gjatë ndeshjes sonë të Ligës së Kampionëve kundër Juventusit, të luajtur jashtë fushe më 25 shkurt 2026, Bordi Disiplinor i UEFA-s ka vendosur një gjobë prej 40,000 eurosh për klubin tonë si dhe sanksionin që ndeshja jonë e ardhshme jashtë fushe të luhet pa spektatorë.”
Klubi ka bërë të ditur se do ta apelojë këtë vendim në Organin e Ankesave të UEFA-s, duke e cilësuar njoftimin si informim për opinionin publik.
Ndeshja e radhës jashtë fushe për kampionët e Turqisë është sfida e kthimit në fazën e 1/8-tës së Ligës së Kampionëve ndaj Liverpool FC, që do të zhvillohet në Anfield. Nëse dënimi mbetet në fuqi, Galatasaray do të jetë pa mbështetjen e tifozëve të tij në këtë përballje vendimtare.






