“Gabim i madh i BE-së”, Von Cramon theksoi urgjencën për zbatim të marrëveshjes

Përgatiti: Fatlum Jashari

Me frikën se mund të lihet në harresë, deputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, theksoi urgjencën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, para muajit Qershor.

Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit, krahas forcimit eventual të partive të djathta në Parlamentin Evropian, sipas saj, mund të ndikojnë në raport me mbështetjen ndaj Kosovës.

“Po, e kuptoj dëshirën që të kemi njohjen de fakto, para zbatimit. Është kërkesë absolutisht legjitime, e mbështes Qeverinë në këtë dhe, gjithashtu, mendoj vitin e kaluar BE-ja bëri një gabim të madh, në mars, që nuk këmbënguli për nënshkrime nga të dyja palët. Por, shqetësimi është nëse e vonojmë gjithë procesin tani, do të kemi zgjedhje evropiane, mbase mund të ketë president të ri në Shtëpinë e Bardhë që mund të mos e mbështesë vendin aq sa mund ta mbështesë presidenti aktual. Do të kemi situatë ndryshe në BE, do të kemi Gazën, Ukrainën, Tajvanin, Huthi etj., kam frikë se në fund askush nuk brengoset për dialogun dhe njerëzit këtu”, tha Von Cramon.

Edhe pse rezultatet eventuale nuk i ndërlidh me afatet kohore, ajo theksoi se pesë muajt e ardhshëm në dialog janë jetik.

“Nuk është tërësisht e drejtë, por sidoqoftë ju lutem bëjeni të mundur në javët dhe muajt e ardhshëm, edhe nëse mendoni se nuk është detyra juaj, edhe nëse mendoni se pala tjetër duhet të përmbushë [obligimet]. Nëse do të isha këtu do të provoja të bindja qytetarët e mi, votuesit e mi, që edhe nëse prisni diçka tjetër nga unë – që unë jam rezistent, që unë jam figura heroike – në interes të qytetarëve, unë do të filloja me zbatimin. Kjo është këshilla ime e sinqertë, por ky është shtet sovran, qeveri sovrane dhe secili mund vendos dhe të bëjë çfarë dëshiron vetë, mos më keqkuptoni”, tha Von Cramon.

Pa dhënë një cilësim të qartë juridik, ajo foli edhe për atë që Kosova e cilëson “akt agresioni nga Serbia, përmes sulmi terrorist paramilitar në Banjskë”.
“Ajo që kemi dëgjuar është që kishte përfshirje serioze nga grupe të ndryshme armatosura nga Serbia dhe ishte një test për të parë se si po punojnë forcat e sigurisë, e po ashtu se si do të reagonin BE-ja, perëndimi dhe SHBA-ja. A ishte rrezik për një lufte të menjëhershme, mund të them se, fatmirësisht për ne, kemi KFOR-in këtu, dhe mendoj se është mirë që NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve. Mendoj është siguri, kjo është ajo që rajoni ka nevojë. Mos më keqkuptoni. Mendoj që ka arsye që NATO-ja vendosi të fuqizojë masat e sigurisë. Por, nuk jam e sigurt se fotografia se nesër mund të ketë luftë është reale. Të nxisësh frikë në shoqëri është pak e rrezikshme”, tha Von Cramon.

Përkundër pretendimeve për paqartësi procedurale, euro-deputetja tha se inicimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri tani varet nga interesimi për mbledhjen e nënshkrimeve.

Në tema të tjera, Von Cramon i quajti të papranueshme sulmet e Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të drejtësisë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA