Francesco Pio Esposito shkruan historinë me Italinë, lë pas legjenda të futbollit italian
Francesco Pio Esposito po kalon një moment fantastik me përfaqësuesen e Italisë. Pas dygolëshit vendimtar në fitoren 3-1 ndaj Francës në “San Siro”, sulmuesi 21-vjeçar ka arritur kuotën e 9 golave në vetëm 14 paraqitje me fanellën e kombëtares.
Me këtë ritëm mbresëlënës, Esposito ka arritur të barazojë dhe të lërë pas disa prej emrave më të mëdhenj të historisë së futbollit italian.
Reklamë
Një prej tyre është Francesco Totti. Legjendës së Romës iu deshën 58 ndeshje për të shënuar 9 gola me Italinë, ndërsa Esposito e ka arritur këtë shifër në vetëm 14 paraqitje, plot 44 ndeshje më pak.
Për më tepër, sulmuesi i ri ka vendosur një rekord historik, duke u bërë lojtari i parë në historinë e kombëtares italiane që realizon të paktën 9 gola në 14 ndeshjet e para me ekipin e parë.
Esposito ka lënë pas edhe Christian Vierin, një tjetër emër i madh i sulmit italian, duke konfirmuar potencialin e tij të jashtëzakonshëm.
Ndërkohë, në renditjen e golashënuesve të Italisë nën moshën 22-vjeçare, ai mban vendin e dytë me 9 gola, duke qëndruar vetëm pas legjendës Giuseppe Meazza, i cili kishte realizuar 11 gola në të njëjtën moshë.
Me paraqitjet e fundit, Francesco Pio Esposito po dëshmon se është një nga talentet më premtues të futbollit italian dhe një emër që premton shumë për të ardhmen e kombëtares.
Reklamë











