Mediat zvicerane i kushtojnë vëmendje vendimit të Lutfi Dalipit për të përfaqësuar Kosovën

Vendimi i talentit Lutfi Dalipi për të luajtur me kombwtaren e Kosovës ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat zvicerane. Disa prej mediumeve më të njohura në Zvicër kanë raportuar për zgjedhjen e 20-vjeçarit, i cili vendosi të mos e përfaqësojë më këtë shtet, por Kosovën.
“Blick” ka shkruar se talenti i ri tashmë ka marrë vendimin përfundimtar se cilin shtet do të përfaqësojë në të ardhmen.
Reklamë
“Disa ditë më parë, Lutfi Dalipi refuzoi ekipin kombwtar të Zvicrës. Tani top-talenti ka vendosur më në fund se për kë do të luajë në të ardhmen – Kosovën”, shkruan ndër të tjera ky medium.
Dalipi, i cili është me prejardhje nga Presheva, ka lindur dhe është rritur në Zvicër.
Edhe “20 Minuten” i ka kushtuar një artikull këtij vendimi, duke theksuar se tashmë është e qartë se cilin shtet do të përfaqësojë ish-talenti i Zvicrës.
“Pasi refuzoi një ofertë nga Zvicra, ylli në ngritje i Superligës, Lutfi Dalipi, do të luajë për Kosovën. Ai e bëri këtë të ditur të enjten mbrëma”, shkruan mediumi zviceran.
“20 Minuten” ka theksuar gjithashtu se konkurrenca në kombwtaren e Zvicrës do të ishte shumë e madhe për Dalipin dhe se në këtë fazë do ta kishte të vështirë të siguronte një vend në ekip.
Për vendimin e 20-vjeçarit ka raportuar edhe portali i televizionit zviceran SRF, i cili ka theksuar se Dalipi ka zgjedhur Kosovën, pasi ka lënë përshtypje të mira me paraqitjet e tij te Vaduzi.
Ndërkohë, “Bluewin” ka shkruar se Dalipi po ndjek gjurmët e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, të cilët gjithashtu janë formuar në grupmoshat e Zvicrës, por më pas kanë vendosur të përfaqësojnë Kosovën.
Reklamë










