Kupa e Botës 2026 vazhdon me emocione të mëdha, ndërsa sot në fushë zbresin dy finalistët e edicionit të kaluar në Katar – Franca dhe Argjentina. Dy gjigantët e futbollit botëror e nisin aventurën e tyre në SHBA, Kanada dhe Meksikë me të njëjtin objektiv: të arrijnë finalen e 19 korrikut dhe të ngrejnë trofeun më të çmuar në futboll.
Vëmendja fillimisht do të jetë e përqendruar në New York, ku Franca do të përballet me Senegalin në stadiumin “MetLife”, duke nisur rrugëtimin e saj në Grupin I. Francezët konsiderohen ndër favoritët kryesorë për triumfin final, falë një skuadre të mbushur me talent dhe përvojë.
Të udhëhequr nga yje si Kylian Mbappe, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise, “Gjelat” synojnë ta nisin turneun me fitore. Në stol do të jetë për herë të fundit në një Kampionat Botëror trajneri Didier Deschamps, i cili kërkon ta mbyllë epokën e tij me një tjetër sukses të madh.
“Objektivi ynë është të shkojmë deri në fund dhe të luftojmë për titullin. E dimë se rruga nuk do të jetë e lehtë, por kemi një grup me shumë cilësi dhe potencial”, deklaroi Deschamps para ndeshjes.
Megjithatë, trajneri francez paralajmëroi se Senegali mbetet një kundërshtar i rrezikshëm.
“Është një nga kombëtaret më të forta afrikane dhe meriton respekt maksimal. Për ne është shumë e rëndësishme ta nisim turneun me fitore”.
Në Francë ende kujtohet humbja tronditëse ndaj Senegalit në Botërorin e vitit 2002, kur afrikanët fituan 1-0 në ndeshjen hapëse dhe shkaktuan një nga surprizat më të mëdha të turneut.
Nga ana tjetër, selektori i Senegalit, Pape Thiaw, është optimist se skuadra e tij mund të rivalizojë me favoritët.
“Respektojmë Francën dhe lojtarët e saj të jashtëzakonshëm, por edhe ne kemi cilësi. Futemi në fushë me besimin se mund të arrijmë rezultat pozitiv”, u shpreh ai.
Në ndeshjen tjetër të Grupit I, Norvegjia do të përballet me Irakun në Boston. Norvegjezët rikthehen në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë dhe shihen si favoritë, falë formës së shkëlqyer të sulmuesit Erling Haaland.
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, kampionia në fuqi Argjentina do të nisë mbrojtjen e titullit me sfidën ndaj Algjerisë në Kansas City, në kuadër të Grupit J.
Takimi do të ketë një domethënie të veçantë për Lionel Messin. Kapiteni legjendar argjentinas pritet të luajë ndeshjen e 200-të me fanellën e kombëtares, duke shtuar një tjetër rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Për më tepër, ky pritet të jetë Botërori i fundit i 39-vjeçarit, i cili katër vite më parë udhëhoqi Argjentinën drejt kurorës botërore në Katar.
“Jemi të përgatitur dhe e dimë përgjegjësinë që kemi si kampionë në fuqi. Respektojmë çdo kundërshtar, por fokusi ynë është te loja jonë dhe te objektivat që kemi vendosur”, deklaroi trajneri Lionel Scaloni.
Ditën e gjashtë të Kupës së Botës do ta mbyllë dueli mes Austrisë dhe Jordanisë. Austriakët, të drejtuar nga Ralf Rangnick, konsiderohen favoritë për të marrë tri pikët në këtë përballje.
Një ditë e mbushur me ndeshje interesante, ku favoritët nisin rrugëtimin e tyre drejt ëndrrës së madhe – fitimit të Kupës së Botës 2026.





