Përgatiti: Pranvera Krasniqi
26 gra janë vrarë nga të afërm të tyre në Kosovë, në 15 vjetët e fundit, sipas organizatës joqeveritare Fourth Wave.
Në përkujtim të tyre, kjo organizatë mbajti të martën një aksion simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me mbishkrime kundër femicidit.
“Duke e parë numrin e rasteve të dhunës, ne sot zaptuam hapësirën publike përmes kukullave, ato mishërojnë idenë se si shteti i sheh qytetarët e tij”, tha Anita Mjeku, organizatore e aktivitetit.
Nerimane Ferizi, aktiviste për të drejtat e grave, përmendi disa raste të vrasjes së grave, të cilat institucionet dështuan t’i parandalonin.
“Kemi rastin e gruas e cila para ca javëve u vra nga burri i saj dhe organet kompetente deri vonë nuk ishin askund…”, tha Ferizi.
Gjatë aksionit, pjesëmarrësit kërkuan më shumë angazhim nga institucionet.
“Çfarë po na brengos është heshtja institucionale, kinse femrat të vriten është normale, duhet angazhim nga ta në këtë çështje serioze”, tha Ferizi.
Aksioni simbolik që zgjati deri në orën 18:00 dhe ditët në vijim, pritet të mbahet edhe në qytetet e tjera të Kosovës.





