Pak para orës 10:00, ka nisur rundi i gjashtë i diskutimeve në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.
Kur bëhet fjalë për pritshmërisë e BE-së nga ky takim, ata janë shprehur optimistë edhe këtë herë.
Një gjë të tillë, Lajçak e tha edhe gjatë ditës së hënë.
Ndërmjetësi evropian ka konfirmuar se do të jetë nikoqir i takimit të kësaj jave mes ndërmjetësuesve nga Kosova dhe Serbia.
Ai është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.
Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit.
Pas takimit të fundit me 25 prill, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pas takimit akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi më 25 prill tha se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë”.
Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.





