Finalja e madhe e Kupës së Kosovës do të zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Ferizaj dhe Dukagjini do të kërkojnë të shkruajnë histori duke fituar trofeun e tyre të parë në këtë garë.
Ndeshja finale pritet të nisë në ora 20:00 dhe sjell përballë dy skuadra që kanë kaluar me sukses të gjitha sfidat deri në aktin përfundimtar.
Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë tashmë edhe caktimin e gjyqtarëve që do të ndajnë drejtësinë në këtë ndeshje të rëndësishme.
Gjyqtari kryesor i finales do të jetë Genc Nuza, i ndihmuar nga Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Bardh Ajeti.
Në sistemin VAR do të jetë Burim Jahmurataj, ndërsa AVAR është caktuar Besnik Morina, duke garantuar mbikëqyrje të plotë të situatave vendimtare të ndeshjes.





