Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në emisionin A PLAY në ATV, tha se vizita e komitetit “Hattrick” në Kosovë është historike dhe një njohje e madhe për punën që është bërë deri tani në futbollin kosovar.
Sipas tij, ky komitet përfaqëson 55 federata të futbollit dhe përfshin dy zëvendëspresidentë të UEFA-s, kryetarë të federatave evropiane dhe drejtues të rëndësishëm të institucioneve të UEFA-s.
“Ky është një ndër komitetet më të rëndësishme, që udhëheq dhe menaxhon programet e të gjitha federatave të Evropës. Ndihem i privilegjuar që si shtet dhe si Federatë e Futbollit kemi pasur mundësinë të presim këtë komitet kaq shpejt. Organizimi ynë ka marrë shumë lavdata dhe ata janë jashtëzakonisht të kënaqur me punën që kemi bërë”, tha Agim Ademi.
Ai tha se njohja e punës së FFK-së nga komiteti “Hattrick” ka rezultuar me shpërblime dhe mbështetje për projekte të reja.
“Për herë të parë janë dhënë dy plaketa njëkohësisht, diçka që nuk ka ndodhur më parë. Kjo është një vlerësim historik për punën e bërë nga e gjithë administrata e FFK-së. Ata kanë parë përkushtimin tonë dhe kjo do të rezultojë shumë shpejt me një shumë tjetër që do të na mundësojë ndërtimin e një stadiumi të kategorisë së katërt”, u shpreh Ademi.
Deklaratën e plotë të Agim Ademit në A PLAY, e gjeni në videon më poshtë: