FC Drita ka bërë zyrtar një tjetër afrim për sezonin e ri, duke siguruar shërbimet e sulmuesit të ri Igball Jashari.
Kampionët e Kosovës kanë arritur marrëveshje me 20-vjeçarin pas paraqitjeve mbresëlënëse që ai zhvilloi me Drenicën, ku u dallua si një nga lojtarët më premtues në krahun e sulmit.
Ky transferim përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e Jasharit, i cili tashmë do të ketë mundësinë të dëshmojë veten edhe në skenën evropiane me fanellën e Dritës.
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, klubi gjilanas e prezantoi lojtarin me një mesazh mirëseardhjeje:
“Mirë se vjen, Igball Jashari. Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Igball Jashari është përforcimi më i ri i FC Dritës.”
“Igballit i urojmë mirëseardhje në familjen bardhekaltër dhe shumë suksese me fanellën e klubit tonë”, thuhej në njoftimin e klubit.
Me këtë afrim, Drita vazhdon të forcojë organikën e saj në prag të sfidave të reja në kampionat dhe në arenën ndërkombëtare.





