Dorëhiqet drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha

Ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se të premten pranoi nga Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Ushtrues detyre e ka caktuar Fehmi Hotin.
Reklamë
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti. Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, thuhet në njoftim.
Të enjten, Policia pezulloi nga puna 11 zyrtarë policorë për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Pejës, shefin e hetimeve rajonale, komandantin e stacionit policor, zëvendëskomandatin, shefin e hetimeve, ushtruesin e detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandantin e nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
Për rastin e Zekajt janë pezulluar nga puna edhe kryeprokurorja e Prokurorisë në Pejë dhe prokurorja e rastit – Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferri.
Reklamë










