Dhjetë persona janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Orebro të Suedisë, tha policia suedeze.
Të shtënat në shkollën Risbergska në Orebro, 200 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Stokholm, ndodhën të martën pasdite.
Policia tha se autori nuk ishte i njohur më parë për ta dhe besohej se ai po vepronte i vetëm, raporton BBC.
Sipas policisë, ka edhe disa persona të tjerë të cilët janë plagosur.
“Ky është një incident jashtëzakonisht tragjik”, tha shefi i policisë së Orebros, Roberto Eid Forest.
Më herët, kryeministri suedez tha se ishte “një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë në Suedi”.
Një numër i të plagosurve janë dërguar në spital, ndërsa të paktën katër persona i janë nënshtruar operacionit.
Policia fillimisht kishte thënë se rasti po hetohej si një tentativë për vrasje dhe zjarrvënie.
Sipas policisë, deri më tash nuk ka dyshime nëse ky rast ka lidhje me terrorizëm.