Xhaka pranon falsifikimin e certifikatës së COVID-19, mungon në grumbullimin e Zvicrës

Granit Xhaka është në qendër të një hetimi në Zvicër lidhur me një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19, ndërsa kapiteni i Kombëtares zvicerane ka pranuar tashmë se kishte siguruar një dëshmi vaksinimi gjatë periudhës së pandemisë.

Prokuroria e Lucernës ka hapur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje nga ky kanton, për të sqaruar nëse është kryer vepër penale lidhur me një certifikatë të rreme të COVID-19. Xhaka pritet të merret në pyetje nga autoritetet në fillim të tetorit.

Në një deklaratë të bërë publike sot, Xhaka ka pranuar se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi dhe e ka cilësuar këtë si një gabim.

Ai ka thënë se në atë periudhë, për shkak të frikës dhe pasigurisë, kishte zgjedhur një rrugë të gabuar në vend që të kërkonte sqarime përmes kanaleve përkatëse. Xhaka është shprehur i penduar dhe ka thënë se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet.

Çështja kishte nisur të bëhej publike ditë më parë, kur u raportua se Prokuroria e Lucernës po hetonte dyshimet për përdorim ose sigurim të një certifikate të falsifikuar. Autoritetet kanë theksuar se procedura synon të përcaktojë nëse ka pasur shkelje penale, ndërsa në fazat fillestare Xhaka dhe mjekja përkatëse konsideroheshin të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar.

Sipas ekspertit të së drejtës penale të cituar nga “Blick”, falsifikimi i dokumenteve në Zvicër mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Megjithatë, kjo është vetëm masa maksimale e paraparë nga ligji dhe nuk nënkupton se Xhaka do të dënohet me pesë vjet burg. Dënimi eventual do të varej nga rrethanat dhe vendimi i autoriteteve gjyqësore.

Ndërkohë, Federata Zvicerane e Futbollit ka njoftuar se Xhaka nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të ardhshëm të Kombëtares.

Federata ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas një diskutimi mes Xhakës dhe drejtuesve të saj, me qëllim që situata të sqarohet dhe skuadra të fokusohet te ndeshjet e ardhshme.

Kombëtarja e Zvicrës po përgatitet në Belek të Turqisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndërsa pas përfundimit të kësaj periudhe federata ka paralajmëruar se do ta rishikojë situatën së bashku me Xhakën dhe do të diskutojë hapat e mëtejshëm.

Kapiteni zviceran, ndërkohë, pritet të paraqitet para autoriteteve të Lucernës në fillim të tetorit, kur do të merret në pyetje lidhur me këtë çështje.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA