Mesfushori Dion Kacuri ka treguar se vendimi për të përfaqësuar Kosovën ka qenë i natyrshëm dhe i marrë me zemër.
22-vjeçari është grumbulluar për herë të parë me “Dardanët” nga përzgjedhësi Franco Foda, për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kacuri iu bashkua Kosovës pasi më parë ishte kapiten i Zvicrës U21.
Pas mbërritjes në Prishtinë, ku sot kanë arritur edhe disa prej futbollistëve të tjerë të Kombëtares, Kacuri ka folur për zgjedhjen e tij.
“Ka qenë një vendim me zemër dhe ka qenë e lehtë për mua. Jam shumë i lumtur që mund të luaj për Kosovën. Provoj gjithnjë të jap maksimumin”, ka thënë Kacuri.
Mesfushori ka treguar se lidhja familjare me Kosovën ka qenë një prej arsyeve kryesore që zgjedhja e tij të ishte e lehtë.
“Ka qenë e lehtë sepse prindërit kanë lindur dhe janë rritur këtu. Familjen e kam këtu gjithashtu. Një ose dy herë në vit vijmë për pushime, prandaj ka qenë vendim me zemër”.
Ndërkohë, grumbullimi i Kosovës tashmë ka nisur. Në Prishtinë kanë mbërritur edhe Vedat Muriqi, Lumbardh Dellova, Milot Rashica dhe Ermal Krasniqi, të cilët janë mirëpritur nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Dardanët” do ta zhvillojnë sot stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndërsa seanca e parë nën drejtimin e Franco Fodës është paraparë të nisë nga ora 17:00.
Kacuri beson se Kosova ka një skuadër të fortë dhe synon rezultate pozitive në këtë cikël.
“Kemi një ekip të fortë, lojtarët luajnë në top klubet dhe shpresoj që të fitojmë secilën ndeshje. Të shohim”.
Kosova e nis aventurën në Ligën e Kombeve këtë të enjte në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku përballë do të ketë Irlandën.





