Çmimi i kafesë ka arritur maksimumin e ngritjes në 10 vitet e fundit, në Kosovë. Çmimi për këtë produkt vazhdon të rritet vit pas viti në vendin tonë. Çmimi për një kilogram kafe të bluar në Kosovë ka arritur në 12.90 euro – cent, një rritje prej 5 euro e 80 centë për një kilogram, krahasuar me vitin 2014, kur ky çmim ishte vetëm 7.10 euro – cent. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimi mesatar i kafesë ka shkuar nga 7.10 euro – cent në 11.56 euro cent për një kilogram nga viti 2014 deri më 2023.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve është evidentuar edhe gjatë muajit shtator të këtij viti, kur çmimi i kafesë ka arritur në 12.90 euro cent, raporton KP.
Përveç kafesë ngritje të çmimeve kishte dhe në produkte të tjera. Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,2 % në muajin shtator 2024 krahasuar me muajin shtator 2023.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbimet financiare (13,9%), kafja, çaji dhe kakao (10,4%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (7,2%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,1%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (4,9%), veshje (4,4%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (4,0%), kujdesi personal (3,9%), pijet alkoolike (3,5%), pemët (3,5%), mishi (3,0%), duhani (2,9%), buka dhe drithërat (2,1%), qumështi, djathi dhe vezët (1,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it”.