Federata e Hendbollit të Kosovës ka prezantuar trajnerin e njohur kroat, Nenad Shoshtariq, si përzgjedhësin e ri të Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e femrave.
Shoshtariq është prezantuar të mërkurën pasdite në një konferencë për media të mbajtur në ambientet e Federatës së Hendbollit të Kosovës, duke nisur kështu një kapitull të ri në krye të Kombëtares.
Presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, i ka uruar mirëseardhje trajnerit kroat, duke theksuar se Shoshtariq është një profesionist me të cilin federata tashmë ka pasur bashkëpunim dhe që sjell përvojë të madhe ndërkombëtare.
Kolgeci ka bërë të ditur se me Shoshtariqin në krye të shtabit teknik synohen hapa të rinj dhe rezultate sa më të mira me Kombëtaren e Kosovës.
Nga ana tjetër, trajneri kroat ka vendosur menjëherë objektivin kryesor: kualifikimin e Kosovës në një ngjarje të madhe ndërkombëtare, qoftë Kampionat Evropian apo Botëror.
“Nuk kam çfarë të dëshmoj në hendboll”, ka thënë Shoshtariq, duke e cilësuar punën me Kosovën si një sfidë të re dhe të rëndësishme në karrierën e tij të gjatë.
Trajneri i ri do të ketë mundësi që shumë shpejt të shohë nga afër potencialin e lojtareve kosovare. Ai ka folur edhe për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare, të cilat nisin më 21 gusht në Taranto të Italisë.
Sipas Shoshtariqit, kjo garë do të jetë një mundësi e rëndësishme për vajzat e reja të Kosovës që të fitojnë përvojë në arenën ndërkombëtare.
Ai tashmë ka nisur punën me Kombëtaren, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe për ta afruar Kosovën me objektivin e madh të kualifikimit në një Kampionat Evropian apo Botëror.
Nenad Shoshtariq, 67-vjeçar, ka pas vetes më shumë se tri dekada përvojë në trajnim dhe një karrierë të pasur si në nivel kombëtaresh, ashtu edhe klubesh.
Ai ka drejtuar Kombëtaren e Kroacisë në tri periudha të ndryshme: 1997-1998, 2001-2003 dhe 2017-2023. Arritjen më të madhe me kroatet e regjistroi në Kampionatin Evropian 2020, kur e udhëhoqi skuadrën drejt medaljes së bronztë, suksesit më të madh në historinë e kësaj Kombëtareje.
Në Botërorin e vitit 1997, Shoshtariq e drejtoi Kroacinë deri në vendin e gjashtë, ndërsa gjatë karrierës ka punuar edhe me përfaqësueset e moshave U18, U19 dhe U20 të Kroacisë.
Përvoja e tij ndërkombëtare shtrihet edhe në Jordani, ku ka qenë përzgjedhës i kombëtareve në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Në vitin 1999, ai i udhëhoqi të dyja përfaqësueset drejt medaljes së bronztë në Lojërat Pan-Arabe.
Në nivel klubesh, Shoshtariq ka arritur gjithashtu rezultate të rëndësishme. Me Lokomotiva Zagrebin fitoi Challenge Cup në vitin 2017, ndërsa me Krash Zagrebin arriti në finalen e Kupës së Fituesve të Kupave. Me Lokomotivën ishte edhe dy herë në gjysmëfinale të Challenge Cup.
Ai ka fituar tituj të kampionatit kroat dhe ka punuar në disa vende, përfshirë Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Karrierën si trajner e nisi në vitin 1990 dhe gjatë këtyre viteve është shpallur disa herë trajneri më i mirë në Kroaci.
Së fundmi, Shoshtariq ishte trajner i Zagrebit në konkurrencën e meshkujve, skuadër që garon në Ligën e Kampionëve.
Përveç punës në parket, trajneri i ri i Kosovës është edhe ligjërues i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) dhe Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), ndërsa ka publikuar një numër të madh materialesh profesionale dhe vazhdon të ligjërojë për trajnerë në vende të ndryshme evropiane.
Me një trajner të këtij niveli në krye, Kosova synon të bëjë hapin e radhës dhe të shkruajë një kapitull të ri në historinë e hendbollit të femrave.





