Casillas përballet me Porton në gjykatë, kërkon milionat pas sulmit në zemër që i dha fund karrierës

Legjenda e futbollit spanjoll, Iker Casillas, ka nisur një betejë ligjore kundër Portos, duke kërkuar kompensim milionësh për problemet shëndetësore që, sipas tij, i dhanë fund para kohe karrierës së tij si futbollist profesionist.

Ish-portieri i Real Madridit pretendon se sulmi në zemër që pësoi gjatë një seance stërvitore në maj të vitit 2019 ishte pasojë e mbingarkesës fizike dhe duhet të konsiderohet si aksident në vendin e punës. Për këtë arsye, ai ka depozituar padi në gjykatën e Portos, duke kërkuar dëmshpërblim për paaftësinë e përhershme që thotë se e shoqëron edhe sot.

Shtatë vjet pas incidentit që tronditi botën e futbollit, Casillas ka treguar se jeta e tij ka ndryshuar ndjeshëm dhe se nuk është më në gjendje të kryejë aktivitete fizike si më parë.

“Mund të ushtrohem në palestër dhe të luaj padel, por nuk mund të vrapoj. Arrij të përballoj vetëm 20 deri në 50 metra dhe më pas duhet të ndalem. Për dikë që ka qenë sportist profesionist në nivelin më të lartë, kjo është një ndryshim i madh”, deklaroi ai gjatë seancës gjyqësore.

Nga ana tjetër, Porto dhe kompania e sigurimeve kundërshtojnë pretendimet e ish-kapitenit të Spanjës. Mjeku i klubit në atë kohë, Nelson Puga, ka deklaruar se problemi shëndetësor ishte trajtuar me sukses dhe se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes stërvitjes dhe atakut kardiak që pësoi portieri.

Sipas klubit portugez, Casillas ka marrë të gjitha pagesat që i takonin gjatë periudhës së rikuperimit, ndërsa kompania e sigurimeve Fidelidade ka paguar tashmë 1.5 milion euro, që konsiderohet shuma maksimale e parashikuar për raste të tilla.

Megjithatë, ish-portieri spanjoll kërkon kompensim shtesë për paaftësinë e plotë dhe të përhershme për të ushtruar profesionin e tij. Shuma që po shqyrtohet në procesin gjyqësor arrin në rreth 2.5 milionë euro, ekuivalente me 70 për qind të pagës që ai do të kishte përfituar deri në përfundimin e kontratës me Porton në vitin 2021.

Casillas mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit. Ai zhvilloi 725 ndeshje me Real Madridin dhe fitoi gjithçka me klubin spanjoll, ndërsa nga viti 2015 deri në vitin 2020 mbrojti portën e Portos në 156 takime.

Tashmë vendimi i gjykatës portugeze pritet të përcaktojë nëse ish-gardiani legjendar do të përfitojë kompensimin që kërkon apo nëse pretendimet e tij do të refuzohen.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA