Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të premten ka trajtuar çështjen e ankesës së Blerim Isufajt lidhur me konkursin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjatë mbledhjes, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka propozuar që në rend të ditës të përfshihet edhe autorizimi për drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin në Gjykatën Kushtetuese lidhur me dhënien e komenteve për ankesën e Isufajt.
Propozimi është miratuar unanimisht nga anëtarët e KPK-së.
“Këshilli autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi, që ta përfaqësojë Këshillin Prokurorial të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese për dhënien e komenteve lidhur me ankesën e z. Blerim Isufaj, e cila ka të bëjë me shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kishte dërguar rastin në Gjykatën Administrative pas vendimit të KPK-së për hapjen e konkursit të ri për Kryeprokuror të Shtetit.
Më 18 maj 2026, KPK kishte miratuar shpalljen e konkursit për këtë pozitë me pesë vota për, një kundër dhe një abstenim. Vendimi ishte kundërshtuar nga Isufaj, i cili kishte paraqitur padi duke kërkuar anulimin e tij si të kundërligjshëm.
Në padinë e tij, Isufaj ka pretenduar se KPK nuk ka pasur të drejtë të hapë konkurs të ri, pasi sipas tij ekziston ende vendimi i vitit 2023, me të cilin ai ishte propozuar për dekretim te presidentja e atëhershme.
Sipas tij, ky vendim nuk është shfuqizuar dhe vazhdon të prodhojë efekte juridike, pasi nuk është nxjerrë ndonjë akt formal për tërheqjen ose anulimin e tij.
“Vendimi i KPK-së i datës 18.05.2026 për shpalljen e konkursit të ri, i nxjerrë pa shfuqizim formal të propozimit paraprak, e prek drejtpërdrejtë sferën juridike të paditësit”, thuhet në padinë e Isufajt.
Isufaj ka kërkuar gjithashtu që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të KPK-së për shpalljen e konkursit deri në një vendim përfundimtar të gjykatës në këtë çështje administrative.
Megjithatë, Gjykata Administrative më 5 qershor kishte refuzuar kërkesën e tij për masë të sigurisë, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar këtë vendim, duke vlerësuar se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për vendosjen e një mase të tillë.
Sipas Apelit, për caktimin e masës së sigurisë duhet të plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte: shmangia e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm ndaj interesave të propozuesit dhe moscenimi i rëndë i interesit publik.
“Vetëm pretendimi i paditësit se do t’i shkaktohet dëm është argument i pamjaftueshëm për caktimin e masës së sigurisë”, kishte vlerësuar Kolegji i Apelit.
Ndërkohë, më 19 qershor 2026, KPK kishte miratuar pesë kandidaturat për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Në garë janë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi. Kallxo/





