Anëtari i PDK-së, Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, hodhi dyshime se shtyrja dhe vonesat në procesin e numërimit janë pjesë e një taktike të pushtetit për të shpallur zgjedhje të reja dhe për të shmangur presionin ndërkombëtar.
Sipas Behramit, kjo situatë po shërben për dy qëllime kryesore: për të arritur rezultatin e dëshiruar dhe për të fituar kohë përballë trysnisë ndërkombëtare.
“Arsyeja e parë është që duhet t’i dalë profecia për 500 mijë vota. Dhe e dyta është për t’i ikur presionit ndërkombëtar, pra për ta çuar vendin në zgjedhje diku nga qershori dhe për të humbur një vit kohë. Ata që e përcjellin politikën, e kanë parë se zhvillimet globale do të përfshijnë edhe Kosovën herët a vonë,” tha Behrami.
Ai tha se vonesat e krijuara po dëmtojnë procesin e numërimit dhe po bëjnë të pamundur punën e komisionerëve dhe vëzhguesve.
“Komisionerët dhe vëzhguesit nuk mund të qëndrojnë dy-tre javë duke bërë të njëjtën punë. Sot futen në sistem 500 vota, bie sistemi dhe ato fshihen, pastaj duhet të rifillojnë nga e para. Kjo është një luftë nervash që i shërben këtij pushteti, vetëm sepse numrat nuk i kanë dalë ashtu siç kanë pretenduar”, u shpreh Behrami.
Deklaratën e plotë të Artan Behramit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: