Bashkimi Evropian pritet të marrë masa të reja për të kufizuar importet e lira nga Kina, të cilat sipas zyrtarëve evropianë po dëmtojnë industrinë vendore.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Tregti në Komisionin Evropian, Denis Redonnet, tha se BE-ja do të miratojë masa mbrojtëse të njëanshme para afatit të tetorit, nëse nuk ka përparim në bisedimet me Kinën.
Sipas tij, Komisioni Evropian do të shqyrtojë disa sektorë dhe do të përpiqet të ulë nivelin e importeve kineze që po krijojnë presion mbi prodhuesit evropianë.
Industria e çelikut, kimikateve, makinerive dhe elektronikës janë ndër sektorët më të prekur nga konkurrenca e produkteve kineze me çmime të ulëta.
BE-ja tashmë ka rritur tarifat për disa importe të çelikut dhe ka ulur kuotat e importit, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se masa të ngjashme mund të zbatohen edhe në fusha të tjera.
Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu përdorimin e tarifave kundër subvencioneve kineze, pasi Pekini akuzohet se mbështet eksportet e kompanive të tij me ndihma shtetërore.
Tensionet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë rritur për shkak të shqetësimeve se produktet kineze po mbushin tregun evropian dhe po kërcënojnë prodhimin vendas.






