Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të deklarohet për zhvillimet brenda LDK-së, duke thënë se e mbështet në plotni deklaratën e sekretarit të partisë, Ilir Ferati.
Osmani u pyet se a do ta mbajë postin e deputetes, gjë për të cilën tha se do të deklarohet kur të vijë koha.
“Është deklaruar sekretari i LDK-së, ju lus për mirëkuptim. Më dukët goxha shumë ju ka treguar edhe është deklaruar për krejt çështjet që janë me rëndësi, vetëm e mbështes atë deklaratë në tërësinë e saj. Për të gjitha çështjet e tjera, kur të vijë koha deklarohem”, tha Osmani.
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani në zyrat e partisë nuk është deponuar asnjë kërkesë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pavarësisht raportimeve se të martën do të dorëzohen nënshkrimet për një gjë të tillë, raporton KosovaPress.
Ferati para mediave të martën tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar që dëshmon se një iniciativë e tillë do të formalizohet. /KP/






