Shoqata Norvegjeze e Futbollit ka marrë një vendim me karakter humanitar, duke njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Izraelit do të dhurohen për popullsinë civile në Rripin e Gazës.
Fondet e mbledhura do të destinohen për organizatat humanitare dhe mjekësore që veprojnë në terren, mes tyre edhe organizata “Mjekët pa Kufij”, e cila vazhdon të ofrojë kujdes shëndetësor dhe ndihmë emergjente për banorët e prekur nga konflikti.
Përmes një komunikate zyrtare, Federata Norvegjeze theksoi se kjo nismë synon të ofrojë mbështetje konkrete për njerëzit që po përballen me një krizë të rëndë humanitare, duke vënë në plan të parë solidaritetin dhe ndihmën ndaj civilëve.
Vendimi është pritur me reagime të shumta pozitive, si në opinionin publik ashtu edhe në rrjetet sociale, ku është vlerësuar si një shembull i rolit që sporti mund të luajë përtej fushës së lojës, duke u shndërruar në një mjet solidariteti dhe mbështetjeje për komunitetet në nevojë.






