PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ
Në momentet kur Blerim Ramadani priste që Gjykata Supreme ta merrte vendimin final rreth ekstradimit të tij në Serbi apo jo, masa e sigurisë iu ndryshua, nga arresti shtëpiak në paraburgim.
Ish-ushtarit të UÇK-së nuk ia mori mendja të kthehet sërish në çeli as përkohësisht, andaj u arratis. Kështu, autoritetet maqedonase lëshuan urdhërarrest për të.
Dhe vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë e konfirmoi për ATV-në edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
“Ju njoftojmë që Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i z. Ramadani se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njejti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme. Informacione tjera zyrtare nuk kemi pranuar nga autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Veprimi i Ramadanit, po vlerësohet si i drejtë nga bashkëluftëtarët e tij në Ferizaj, madje ata presin që i njëjti të kthehet në Kosovë së shpejti.
E nëse Ramadani veç arrin të hyjë në Kosovë, sipas juristëve do t’i shpëtojë ndjekjes penale.
“Ndalimi I tij ka qenë politik, meqë Maqedonia ka zbatuar një urdhërarrest të lëshuar nga Serbia. Ai nuk do t’I nënshtrohet asnjë ndjekja nga autoritetet e Kosovës”, deklaroi avokati Xhevdet Smakiqi.
Blerim Ramadani ishte arrestuar më 17 korrik. Më 9 gusht, Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi që të njëjtin të mos e ekstradonte në Serbi.
Por, në momentin kur u arratis, ai ishte në pritje të vendimit final të Gjykatës Supreme./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: