Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, në ditën e tetë të fushatës përmes një video-incizimi të publikuar në Facebook tha se sistemi arsimor në Kosovë ka nevojë për një reformë rrënjësore.
Në një reagim tjetër në Facebook, Gjini kritikoi qeverinë në largim lidhur me politikat energjetike, duke iu referuar deklaratave të ushtrueses së detyrës së ambasadores amerikane, Annu Prattipati. Sipas tij, shpenzimi i qindra milionë eurove për import të energjisë elektrike është pasojë e bllokimit të projektit të gazit amerikan. Ai u zotua se, nëse Aleanca merr drejtimin e qeverisë, do të bëhet zhbllokimi i menjëhershëm i projektit të gazsjellësit Shkup–Prishtinë dhe përfshirja e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror.
Gjatë ditës, kandidati i AAK-së njoftoi gjithashtu se në selinë e partisë ka pritur familjen Lacaj nga Lipjani, ndërmarrës të suksesshëm në Nürnberg të Gjermanisë, të cilët i janë bashkuar Aleancës në prag të zgjedhjeve.
Aktivitetet e ditës së tetë u përmbyllën me një tubim elektoral në Suharekë, ku Gjini kërkoi mbështetje për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe numrin 128 në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Për siguri, energji e zhvillim. Për Aleancën dhe numrin 128”, deklaroi ai para mbështetësve në Suharekë.





