Barrë të rëndë për kryeministrin Kurti e kanë cilësuar njohësit politikë çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kjo sipas analistëve politik pritet të bëhet shkak që vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.
“Asociacioni është shndërruar në një element të patejkalueshëm dhe çdo humbje kohe në realizmin e tij praktik shkon në dëm të qeverisë dhe të shtetit të Kosovës. Kjo nënkupton izolimin, alternativa e mosrealizimit të Asociacionit është izolimi dhe vazhdimi i masave ndëshkuese që janë aktualisht. Kryeministri Kurti është në pozitë të palakueshme sepse përderisa ka qenë krye opozitar ka qenë kundërshtari më i madh i Asociacionit, ndërsa tani si kryeministër është vetëdijesuar se s’ka asnjë mundësi tjetër që të bllokojë procesin, por mund të neglizhojë dhe të humbas kohë”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik.
Njohësi i rrethanave politike, Dritëro Arfi, vlerëson se kryeministri Kurti, me pranimin e Asociacionit dhe me themelimin e tij, duhet t’i drejtohet sovranit për legjitimet të ri.
“Unë mendoj se do të krijohen zgjedhje të reja sepse qeveria e ka një problematik, pasi një mënyrë e ka deligjetimuar vetveten me pranimin e Asociacionit. Kjo nuk është gjë e keqe, por tash duhet të kërkojë votën për ri legjitimim dhe jo vetëm qeveria, por duhet të kemi një konsensus shoqëror, pasi këtu edhe partitë opozitare e kanë një pjesë të përgjegjësisë, jo vetëm qeveria. Ky është një problem shoqëror dhe nacional, ku nuk duhet t’i lihet përgjegjësia vetëm qeverisë. Qeveria e ka përgjegjësinë është e vërtet, por duhet të gjejë mekanizmat që të unifikojë faktorin shqiptar dhe shoqëror se si të shkojmë tutje”, tha Arfi.
Ditë më parë, në samitin BE – Ballkani Perëndimor, presidentja Vjosa Osmani tha se fillimisht draft-statuti i Asociacionit duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse del të jetë në pajtim me Kushtetutën, Kosova do ta zbatojë atë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






