Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, renditet e para në listën e grave më të votuara si deputete, prej të gjitha partive, për zgjedhjet parlamentare të 2025-tës.
Përveç Haxhiut, në mesin e 47 ulëseve sa i ka siguruar aktualisht Lëvizja Vetëvendosje, do të zënë vend edhe Donika Gërvalla, Mimoza Kusari-Lila, Shqipe Mehmeti-Selimi dhe 15 gra të tjera.
Kështu, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë nevojë fare zbatimin e kuotës gjinore.
Në partinë që u renditë e dyta në këto zgjedhje, në Partinë Demokratike të Kosovës, tri gratë që morën më së shumti vota janë Vlora Çitaku, Sala Jashari dhe Ariana Musliu-Shoshi.
Ndërsa, në Lidhjen Demokratike të Kosovës për nga numri i votave prijnë Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami dhe Jehona Lushaku-Sadriu.
E në koalicionin AAK-Nisma si gratë më të votuara renditen Time Kadriaj, Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Krasniqi.
Tri partitë opozitare duhet të zbatojnë kuotën gjinore, për së paku një deputete.
Sidoqoftë, nga shoqëria civile vlerësojnë se në këto zgjedhje ka një rritje të lehtë të votave për gratë kandidate.
Ndërkaq, sipas rezultateve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga Lëvizja Vetëvendosje janë siguruar 47 ulëse në Kuvend, nga Partia Demokratike 25, nga Lidhja Demokratike 20 dhe nga koalicioni AAK-Nisma – 8.