Eksfolimi i fytyrës: Çfarë duhet të dish dhe sa shpesh duhet ta bësh

Në rrjetet sociale, eksfolimi paraqitet shpesh si një hap i domosdoshëm në rutinën e kujdesit të lëkurës

Ndërsa ekspertët bien dakord që ka përfitime nga eksfolimi i duhur, ata gjithashtu thonë se ka mundësi që ky proces të teprohet. Por, sa shpesh është vërtet e nevojshme të eksfolojmë fytyrën? Dhe çfarë ndodh nëse nuk e bëjmë?

Çfarë është eksfolimi?

Eksfolimi është procesi i heqjes së qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës, sipas Dr. Joshua Zeichner, profesor i asociuar i dermatologjisë dhe drejtor i kërkimeve kozmetike dhe klinike në spitalin “Mount Sinai”.

Ky proces ndodh natyrshëm dhe është pjesë e ciklit jetësor të lëkurës. Zakonisht, lëkura rigjenerohet çdo disa javë dhe qelizat e vdekura zëvendësohen nga të rejat. Megjithatë, një grumbullim i qelizave të vdekura mund ta bëjë lëkurën të duket e zbehtë, thotë Zeichner. Për këtë arsye, disa njerëz zgjedhin të përshpejtojnë këtë proces me eksfoliues.

Ekzistojnë dy lloje eksfoliuesish: Fizikë (ose mekanikë) dhe kimikë.

Eksfoliuesit fizikë, si skrabi, shpesh përmbajnë grimca të ashpra që “heqin fizikisht qelizat kur masazhohen mbi lëkurë,” shpjegon Zeichner. Ky efekt mund të arrihet gjithashtu me një objekt të ashpër si një sfungjer eksfoliues ose një peshqir.

Nga ana tjetër, eksfoliuesit kimikë përmbajnë acide që funksionojnë duke “shpërbërë lidhjet midis qelizave, duke i bërë ato të largohen,” thotë Zeichner. Eksfoliuesit kimikë shpesh përmbajnë acide alfa hidrokside si acidi glikolik ose acidi laktik.

Cilat janë përfitimet e eksfolimit?

Ekzistojnë shumë përfitime nga eksfolimi i duhur, thotë Dr. Shari Lipner, dermatologe në “Weill Cornell Medicine”. Këto përfshijnë “pamjen më të pastër të lëkurës, parandalimin e poreve të bllokuara dhe për rrjedhojë të akneve dhe përmirësimin e depërtimit të produkteve të aplikuara në lëkurë,” thotë ajo. Mund të jetë i dobishëm për ata që kanë lëkurë me tendencë akneike.

Ndërkohë që eksfolimi shpesh paraqitet si një mënyrë për të zvogëluar rrudhat dhe për t’i dhënë lëkurës një pamje rinore, ekspertët janë skeptikë për këtë pretendim.

“Nuk mendoj se eksfolimi do të zgjidhë problemin e rrudhave,” thotë Dr. Rachel Reynolds, kryetare e përkohshme e dermatologjisë në Qendrën Mjekësore “Beth Israel Deaconess”.

Sa shpesh duhet të eksfoloni?

Për ata që zgjedhin të eksfolojnë, kjo nuk duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme. “Askush nuk ka nevojë të eksfoliojë fytyrën çdo ditë,” thotë Zeichner. Për shumicën e njerëzve, një ose dy herë në javë është e mjaftueshme, shton ai.

Lipner sugjeron se kjo gjithashtu varet nga tipi i lëkurës. Ndërsa eksfolimi një herë në javë mund të funksionojë për ata me lëkurë të yndyrshme, për ata me lëkurë të thatë ose të ndjeshme, ajo rekomandon kufizimin e eksfolimit në një ose dy herë në muaj. Për të parë si do të reagojë lëkura ndaj një produkti, ekspertët sugjerojnë testimin në një zonë të vogël të lëkurës para se ta aplikoni në gjithë fytyrën. Dhe mos përdorni eksfoliues nëse keni akne, plagë të hapura ose djegie nga dielli, citon Anabel.

“Lëkura juaj është tashmë e dëmtuar, dhe eksfolimi mund të çojë në irritim të mëtejshëm, errësim ose zbehje të lëkurës, madje edhe në shenja”, shton Lipner. /Telegrafi/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA