Dje dhe sot sërish u pa që mediat në Kosovë rrejnë, sidomos kur është puna te Përparim Rama. Expressi fillimisht ka rrejtë në titull që ai I ka preferuar qytetarëve të lexojnë libra në vetura, dhe më pas këtë rrenë të Expressit e kanë kopju edhe dhjetëra portale tjera.
Për më tepër Expressi në artikullin ku i përmend librat në titull, e vendos edhe videon e Përparim Ramës ku librat nuk përmenden.
Meqë kurrqysh s’mund të besoja se një Kryetar komune në Kosovë, rekomandon leximin e librave, vendosa ta dëgjoj materialin dhe e pashë që s’ka Kryetar në Kosovë që rekomandon leximin.
E di çka po mendoni, pse po merrem me Expressin dhe do portale që ia kanë futë kot një titulli, e kanë rrejtë pak në citate, sepse Expressi titujve ia futë kot shpesh ndër vite e breza! Pse s’po merrem me rekomandimet e Përparim Ramës.
Kryetari i Prishtinës s’bën thirrje për me lexu libra, por për më shkelë ligjin – për përdorim të telefonit gjatë kohës sa njerëzit janë në vetura.
Në një qytet ku ndodhin aksidente vazhdimisht, në një shtet që e ka shkallën e aksidenteve në trafik me fatalitet shumë më të lartë se BE-ja, Kryetar i kryeqytetit iu thotë qytetarëve që kur mbesin në kolona të flasin me n telefon me njerëz që nuk kanë folë moti!
Mediat ia huqin edhe atë shpesh, ama zor që kishe gjetë gazetar ose redaktor që kish bërë thirrje që derisa jeni duke vozitë, flisni me njerëz që nuk i keni parë moti.
Jo! Për një këso huqje, ose Kryetari është kah na e luan krejtve që jetojmë ose qarkullojmë në Prishtinë, ose njeri veç ia ka huqë një deklarimi dhe ka folë palidhje. Mirëpo, Prishtina i ka do precedentë interesante politike. Për këtë arsye nuk bën që dikush me folë palidhje, mos me kry punë dhe me kalu pavërejtshëm.
Tash, edhe Kryetari paraprak i Prishtinës ka qenë spekulant dhe impotent politikisht, kështu që në këtë drejtim s’ është që kanë ndryshuar gjërat drastikisht.
Edhe më herët kemi pasë raste kur Kryetari i Prishtinës ka qenë nga një parti që ka qenë opozitë e pushtetit qendror, edhe atëherë kemi pasë arsyetime që Qeveria po e bllokon Prishtinën, edhe më herët Prishtina ka qenë trampolinë prej nga politikanë kanë kërcyer në pushtetin qendror.
Shpend Ahmeti mund të jetë tërhequr nga politika si i dështuar, por drejtorët e tij, Liburn Aliu, Xhelal Svecla, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Hysen Durmishi, edhe pse kanë qenë pjesë e një pushteti dështak komunal, secili sot kanë më shumë pushtet se tjetri.
LDK-ja është tregim në vete – një Kryetar i Prishtinës dhe më pas një nënkryetar i tij, të dytë kanë qenë Kryeministra të vendit.
Pra, jemi kah flasim për dikë që ka shumë pushtet, shumë buxhet, drejtorë e këshilltarë në kabinet, punë nuk kryen, ama ka kohë që u bëjë thirrje njerëzve të shkelin ligjin dhe të rrezikojnë jetën e tyre dhe jetën e këmbësorëve.
Pra, një gjë është të flitet për telashet ligjore dhe politike me toka në Badovc, telashet ligjore dhe politike me tenderin 18 milionësh për sheshin Xhorxh Bush, telashet me pishinën e Gërmisë, përfshirjen e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Përparim Ramës dhe Arbër Sadikit në projektim ose vlerësim të projekteve milionëshe, telashet me qenë endacakë, telashet me tenderin për Qendrën për Punë Sociale, për rrena rreth ndërtimit të mbikalimeve, nënkalimeve, parkingjeve dhe rrugëve, për mos realizim të projekteve, mos miratim të buxhetit komunal me kohë… Për këto telashe raportojnë gazetarë më të zellshëm sesa unë.
Ama një gjë tjetër është që krejt këto afera të pëlcasin gjithandej, edhe të bëhet thirrje që njerëzit të bëjnë llaf në telefon.
Me fjalë tjera, Përparim Rama mund të flet palidhje, sepse këtë e ka bërë edhe Kryetari paraprak, ka fort gjasa të bëhet Kryeministër sepse këtë e kishte bërë një Kryetar paraprak, drejtorët e tij mund të behën ministra edhe nëse janë dështakë, sepse këtë e kanë bërë edhe drejtorët paraprakë dhe kjo varet nga vullneti i popullit. Me këtë pjesë jemi në rregull.
Mirëpo, nëse nuk kërkon falje për rekomandimin që u bën njerëzve të flasin në telefon gjatë vozitjes – atëherë është nivel i ri i papërgjegjësisë politike dhe njerëzore!