Çka bëhet me një ton marihuanë të konfiskuar?

Një ton, e përsëris, një ton marihuanë, në vlerë tregu 5 milionë Euro është konfiskuar nga Policia në plantacione në rrethinën e Pejës, konkretisht në fshatrat Kliçinë dhe Sverkë.

Për krejt këtë alamet sipërmarrje është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, nga Memealiaj, rrethi i Tepelenës.

Do të mund të pyesnit pse Xhelal Sveçla nuk shkoi në Pejë të krijojë spektakël televiziv për 1 ton marihuanë qysh shkonte për molerai të Urës në Mitrovicë ose heqje të billbordave.

Mund të pyesni edhe pse mediat më pak po merren me marihuanë, por po merren me pasul dhe me krejt hallakamën rreth ushqimit të FSK-së, edhe pse po shihet që marihuana është biznis më i mirë se pasuli.

Edhe pse të dyja këto dilema janë legjitime, për mua pak më intersante është tëmarrim vesh gjatë procesit gjyqësor nëse Aleksi nga Tepelena e ka mbjellë tokën në rrethinën e Pejës për të furnizuar Kosovën me bari, apo për eksport.

Nëse në Kosovë ka treg për një ton marihuanë, ndoshta më mirë është ta dekriminalizojmë marihuanën, ose ta legalizojmë krejt.

Gjatë verës politikanë të rëndësishëm e kot fare, na patën lodhë me do postime, ta merr mendja e kanë bërë namin që pak ma shumë kemi grurë se viteve të kaluara, Aleksi këndej tu mbjellë marihuanë me tona!

Plus, nëse mendoni që Aleksi ka qenë i vetmi fermer nga mëma Shqipëri që kultivon marihuanë në Kosovë, del që e keni gabim.

Me 20 minuta hulumtim e pashë që vetëm gjatë këtij viti rezulton që Silver Qibini, për besë kështu e ka emrin, dy herë e vërtetova. Silver Qibini, nga Tepelena është arrestuar dhe paraburgosur për kultivim të marihuanës në Klinë.

Plantacione të marihuanës muajve të fundit janë gjetur edhe në Panorc të Malishevës, Sopanicë të Kaçanikut, në kufi me Shqipërinë, në rrethinë të Gjakovës, në Mogillë të Kllokotit, kurse në Leposavic, Zubin Potok e Prishtinë barin po e kultivojnë në laboratore – s’është krejt bio.

Tash, në raporte vendore edhe ndërkombëtare Kosova figuron si vend transit për droga, më pak si vend përfundimtar.

Nëse shikohen statistikat e konfiskimit p.sh del edhe më tutje ka kosovarë që marrin heroin, policia rregullisht konfiskon shumë kg të kësaj droge.

Një e dhënë tjetër gati, gati e pabesueshme është në Policia, NUK KA protokoll për shkatërrimin e drogave të konfiskuara.

Pra, e konfiskon një ton marihuanë, ose disa kilogramë kokainë dhe nuk ka procedurë të paraparë qysh me e shkatërru atë substancë, që i bie që qindra kg droga të të konfiskuara nuk janë shkatërruar.

Përkrahësit e legalizimit të marihuanës do të thonë që më mirë është që shteti të përfitojë nga tatimet, që të inspektohet cilësia dhe shitja, të rritet numri i të punësuarve në bujqësi që kultivojnë marihuanë, të merren shembujt pozitivë nga Portugalia, ose Çekia ose Holanda për turizëm dhe ekonomi të barit dhe të zhvillohet industria farmaceutike po ashtu.

Kundërshtuesit do të kundërshtojnë sepse marihuana është e dëmshme, konsumi i saj shkakton pasoja të rënda, varësi, kapacitetet e shtetit për ta kontrolluar janë të kufizuara etj etj.

Për personat që përdorin drogë zakonisht shqiptohen dënime me gjobë dhe me kusht (si masë alternative). Por edhe kur shqiptohen dënimet me kusht, ato rrallë herë përcillen me urdhër për trajtim të detyrueshëm rehabilitues apo detyrime tjera të caktuara, të cilat do të mundësonin që personat që përdorin drogë të rehabilitohen dhe mos përsërisin kryerjen e veprës penale.

Kapacitetet rehabilituese edhe ashtu i kemi të ulëta sepse sistemin shëndetësor e kemi të keq, sistemin arsimore kemi të keq që prej të cilit fëmijët na dalin… po e dini edhe vetë çfarë na dalin, edhe prapë bre më duhet të them që shumicën e deputetëve i kemi të lodhtë. Ligji për Barnat Narkotike është shkruar në kohën e UNMIK-ut.

Që prej atëherë është shkru edhe një projektligj i ri, por nuk u miratua kurrë, disi nuk ka mbërri në rend dite.

Ligjet e vjetra, institucionet shëndetësore të vjetra, mjekët kah ikin prej vendit, shkollat e vjetra, e sistemi arsimor i keq, gjykatat e ngadalshme, e Aleksi me Silverin nga Tepelena kah kultivojnë kanabis me plantacione.

Përndryshe e di që në Kosovë situata është pakrahasimisht më e mirë se në Mal të Zi, Shqipëri dhe Serbi. Këtë e tregojnë statistikat, raportet ndërkombëtare, përvojat nga bashkëpunimet, etj dhe Policia e Kosovës pa dyshim që ka merita të mëdha për këtë situatë.

Mirëpo, nëse kemi fillu të mbjellim bari në plantacione, është temë serioze. S’munden dy talenta nga Tepelena të vijnë dhe të mbjellin plantacione vetë. S’mundet me qëllu që në ato katunde as nuk jeton e as nuk kalon njeri i gjallë. Edhe jo, s’mundet politika ta hapë këtë debat sepse nuk ka guxim. Dekriminalizimi ose legalizimi mund të mos jenë tema sot, por trajtimi me metadon, ligji i shkruar në kohë të UNMIK-ut, roli i sistemit arsimor e shëndetësor, këto po që janë tema të sotshme.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

Kabineti i Besnik Bislimit

Prindërit dhe identiteti gjinor

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA

Kabineti i Besnik Bislimit

Prindërit dhe identiteti gjinor