BADUSHE BAJRAKTARI- INFERMIERJA NËPËR DUART E SË CILËS KANË ARDHUR NË JETË 3000 FOSHNJA!

Gjatë afro 45 vitesh punë si infermiere dhe mami, Badushja ka asistuar në rreth 3000 lindje nga të cilat gati gjysmën e ka kryer vetë ndërsa pjesën tjetër me ndihmën e mjekut. Shtëpia e saj në Prizren që gjatë kohës së luftës ishte shndërruar pothuajse në lindore ku janë kryer mbi 100 lindje.

Shkruan: Demir Reshiti

Të jesh mami është profesioni më i bukur, më human dhe më i përgjegjshëm. Është një punë jashtëzakonisht e bukur dhe në të njëjtën kohë edhe stresuese. Lindja e çdo foshnje është një histori më vete, pamja e një nëne të lumtur, të kënaqur dhe të buzëqeshur është lumturia dhe privilegji më i madh për të qenë pjesë e asaj lumturie dhe atij momenti magjik.

Puna e mamisë është jashtëzakonisht e vështirë, por edhe e bukur, sepse kërkon shumë dashuri dhe durim. Mamia është personi që së bashku me mjekun e mirëpret të porsalindurin, e para që e sheh, e përkëdhel, e rregullon dhe më pas ia jep nënës…

Njëra nga gratë opojane që për afro 45 vjet iu përkushtua profesionit të shenjtë të infermieres-mamisë është Badushe Lutfiu -Bajraktari. Ajo ishte ndër femrat e para nga Opoja që u shkollua dhe që nga mosha 20 vjeçare e deri në pensionim dha ndihmën e saj të pakursyer në përkujdesjen shëndetësore për banorët e Opojës e Gorës dhe jo vetëm.

Badushja sot më 25 shtator 2024, kremton 69 vjetorin e lindjes. Atë e sollën në jetë në fshatin Brrut të Opojës prindërit Tasim e Kumrije Lutfiu. Këta prindër qysh atëherë e dinin rëndësinë e shkollimit dhe nuk hezituan t’i shkollojnë fëmijët e tyre.

Shkollën fillore dhe të mesmen Badushja i ka kryer në Prizren. Duke e pasur parasysh nevojën për ndihmë shëndetësore që kishin banorët e trevës së Opojës, prindërit e inkurajuan Badushen që të kthehet të punojë në vendlindje ani pse në atë periudhë ata ishin shpërngulur në Prizren.

Punën e ka filluar në moshën 20 vjeçare (21.10.1975). Gjashtë javë ka punuar në Dragash e më pas mbi tetë vjet ka punuar në ambulanten e fshatit Bellobrad. Në vitin 1983 transferohet në lindoren e spitalit të Dragashit ku ka punuar deri në ditën e pensionimit (25.09.2020).

Gjatë afro 45 vitesh punë si mami e infermiere ka asistuar në rreth 3000 lindje nga të cilat gati gjysmën e ka kryer vetë ndërsa pjesën tjetër me ndihmën e mjekut. Nga një evidencë që ka mbajtur Badushja, nëpër duart e saj kanë lindur 1489 foshnje të gjinisë mashkullore dhe 1511 foshnja të gjinisë femërore. Ajo ka asistuar në 17 lindje me binjakë.

Me guxim dhe entuziazëm i mposhti sfidat dhe vështirësitë…

Badushja kujton sfidat dhe vështirësitë e mëdha që kishte në fillimet e punës. Asaj i është dashur që të udhëtojë në këmbë me dhjetra kilometra sidomos gjatë kohës kur ka punuar në ambulancën e fshatit Bellobrad dhe mbulonte fshatrat Brrut e Zym. Përmend rastet kur nga autobusi zbriste në vendin e quajtur Tyrbja e Pllavës dhe nga aty vazhdonte në këmbë për në Bellobrad ku ua jepte terapinë pacientëve, prej aty në Brrut pastaj në Zym dhe rikthehej përsëri në ambulancë në Bellobrad për ta bërë sterilizimin e shiringave intravenoze dhe kjo duhej të bëhej detyrimisht brenda ditës. Përveç punës në ambulancë i duhej të bënte vizita shtesë nëpër shtëpi te gratë shtatzëna, lehonat, fëmijët e posalindur, parashkollorë, etj.
Vështirësitë asaj nuk iu ndalen as kur kaloi me punë në spitalin e Dragashit, sidomos pas përfundimit të luftës kur nga qendra komunale nuk kishte pasdite linjë të rregullt për Prizren. Shpeshherë ka punuar në dy ndërrime që pastaj të pushojë dy ditë të tjera vetëm shkaku i mungesës së mjeteve të transportit të udhëtarëve.

Në pyetjen tonë nëse i kujtohet ndonjë rast i veçantë që i ka ngelur në kujtesë gjatë punës së saj, Badushja thotë se nuk do ta harrojë kurrë datën 8 shkurt të vitit 1985 kur një grua shtatzënë e kanë sjellë me helikopter nga fshati Krushevë për shkak se si pasojë e borës së madhe rrugët ishin të bllokuara. Ishte gëzim i papërshkruar jo vetëm i familjarëve por edhe i stafit mjekësor që arritëm me sukses t’i shpëtonim jetën nënës e cila pas tri vajzave solli në jetë një djalë. Lindja e djemve pas shumë vajzave gjithashtu përbente momente të veçanta gëzimi të cilat vështirë se harrohen.  Asaj i kujtohen gjithashtu momentet e vështira që i ka pasur gjatë punës kur është detyruar t’i udhëheq lindjet edhe gjatë transportimit të shtatzënave nga Dragashi për Prizren!

Përveç asistimit në lindje në spital, Badushja ka kryer edhe shumë lindje jashtë spitalit, nëpër shtëpi, etj., veçmas në kohën e regjimit të egër serb. Shtëpia e saj në Prizren që gjatë kohës së luftës ishte shndërruar pothuajse në lindore ku janë kryer mbi 100 lindje. Aty kanë sjellë në jetë foshnjat e tyre sidomos gratë nga Korisha, Malisheva, Arbana etj., të cilat për shkak të luftimeve ishin detyruar të kërkonin ndihmë në Prizren, në shtëpinë e Badushes. Të gjitha këto shërbime Badushja i ka kryer në baza vullnetare dhe pa pagesë, ndërsa shpërblimi më i madh për të kanë qenë falënderimet e shumta që ka marrë nga lehonat dhe familjaret e tyre.

Asistimi në lindjen e tre brezave! 

Në pyetjen time se a ka pasur raste që gjatë punës mbi 40 vjeçare të ketë asistuar  në lindjen e brezit të tretë (fëmija i fëmijës së fëmijës) Badushja thotë se ka pasur edhe raste të tilla dhe i ka përjetuar me shumë emocione.
– Gjithsejtë kam punuar 44 vjet 11 muaj e 4 ditë. Gjatë kësaj periudhe kam pasur fatin që të asistoj në ardhjen në jetë të tre brezave. Ishte vërtetë kënaqësi kur i dëgjoje fjalët e tyre që nëpër duart e mia kanë ardhur në jetë edhe nëna dhe gjyshja e foshnjës së posalindur!, – kujton Badushja, duke shtuar se kishte me qindra raste kur me ndihmën e saj kanë ardhur në jetë foshnja nga nëna që gjithashtu kishte ardhur në jetë rreth dy dekada më parë po ashtu me ndihmën e Badushes.

Krahas përkushtimit në punë, Badushja ka qenë shumë e afërt me kolegët dhe nuk ka hezituar në asnjë moment që t’i ndihmojë ata, veçmas kuadrin e ri që ishin akoma të pa përvojë.

Gjatë punës mbi dyzet vjeçare, krahas lodhjes ka pasur edhe momente të mira që asaj do t’i ngelën gjithmonë në kujtesë. I kujtohen rastet kur lehonat i kërkonin asaj që t’ia vendos emrin foshnjës së posalindur. Madje ka pasur një rast kur prindërit nga fshati Brezne kanë vendosur që foshnjës së tyre t’ia lënë emrin Badushe si shenjë respekti për ndihmën e pa kursyer që kishte dhënë kjo mami në lindjen e asaj foshnjeje. Tash emnakja e saj është e martuar dhe jeton në Amerikë!

Punën dhe përkushtimin ia vlerësoi populli por jo edhe institucionet!

Në pyetjen time se a ka marrë ndonjë mirënjohje a letër-falënderim nga drejtoria e spitalit apo nga kuvendi komunal, Badushja është përgjigjur se për fat të keq ajo është anashkaluar. Madje, sipas saj ka pasur raste kur mirënjohje janë ndarë për punëtorë-e me shumë më pak përvojë se ajo, ndërkohë që institucionet përkatëse nuk e kanë parë të udhës as t’ia bëjnë një përcjellje dinjitoze në ditën që u pensionua!!!

Badushja është martuar në vitin 1977 me Musa Bajraktarin nga Prizreni me të cilin ka tre fëmijë (Xhengizin, Xhoshkunin dhe Xhynejtin). Ajotani jeton në Prizren e rrethuar nga më të dashurit e saj dhe po ndihet mirë si pensioniste. Ajo i lutet Zotit që t’ia fal shëndetin dhe t’i kalojë ditë ditët e pleqërisë me kujtimet e përjetimet e pa harruara gjatë punës me mantel të bardhë!

Motrën Badushe e urojmë për hapërimin e saj në dekadën e shtatë të jetës duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe momente të këndshme me më të dashurit e saj!

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA