PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI
Kaluan disa ditë prejse është publikuar një dokument nëpër shkollat e kryeqytetit me emër “Marrëveshja e shkollës me Prindërit”, në të cilin figuronin emërtimet prindi 1 dhe prindi 2.
Por as pas kësaj kohe, Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ndaj dokumentit që ngjalli shumë debat në opinionin publik.
Reagime për tërheqjen apo jo të dokumentit nuk pati as nga Drejtoria Komunale e Arsimit, edhe pse ATV-ja adresoi pyetje te zyra për informim në Komunën e Prishtinës.
Sidoqoftë, një sqarim për dokumentin Drejtoria e Arsimit ua dha prindërve.
“Nga DKA na është thënë, se ka pasë hezitime se cili me kanë i pari e cili i dyti, por konsideroj që Kodi Civil është e rregulluar kjo, ku shkruhet amësia pra e para nëna e atësia e dyta, babai”, tha Fisnik Dërguti nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë.
Megjithatë, kërkesa mbetet e pandryshuar.
“Drejtoreshës së Arsimit ia kam komentuar reagimin e prindërve dhe iu kam kërkuar që të tërhiqet dokumenti, në mënyrë që ta përmirësojnë”, deklaroi tutje Dërguti.
Dokumenti në fjalë përmban vetëm rregullat e shkollës, përfshirë kodin e sjelljes, sigurinë dhe ruajtjen e inventarit dhe nuk i referohet familjes në asnjë formë./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: