Është shtyrë seanca e Kuvendit Komunal të Drenasit, e cila ishte thirrur për të votuar Propozim-vendimin për miratimin paraprak të vendimit për dhënien e 54 pronave të paluajtshme të Komunës së Drenasit për shfrytëzim afatgjatë nga persona fizikë/juridikë, për një periudhë prej 99 vjetësh, raporton ATV.
Kjo ndodhi pasi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një aksioni simbolik para komunës, i cili vazhdoi edhe brenda kuvendit komunal të Drenasit, kundërshtuan këtë projekt-vendim.
Me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kërkoi largimin e aktivistëve nga seanca e kuvendit komunal. Aktualisht, seanca është shtyrë dhe ende nuk dihet nëse do të vazhdojë punimet sot.
“Nuk kthehemi pa u largu aktivistët, nuk kanë të drejtë të jenë këtu”, ka deklaruar Lladrovci.
Mbledhja ishte paraparë të fillojë në orën 10:00, me 13 pika në rendin e ditës. /atvlive.tv