PËRGATITI: ARTON HAMITI
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani theksoi edhe njëherë kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sipas administratores Power sjellë benifite për të dy vendet. Ndërkaq, presidentja Osmani tha se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.
Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, takoi presidenten Vjosa Osmani.
Zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ishte njëra nga temat e diskutuara edhe në këtë takim.
Çdo përparim drejt normalizimit me Serbinë, sipas administratores Power sjellë benifite për të dy vendet.
“Kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt këtij normalizimi. Sepse, çdo përparim në këtë drejtim do të ketë benefite për qytetarët e të dyja vendeve. Me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo do t’i ndihmojë po ashtu normalizimit të raporteve, me këtë edhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit.”
Samantha Power, dikur gazetare e cila raportoi nga lufta në Kosovë, e pati të vështirë ta shpreh ndryshimin qe ka pasur Kosova nga viti 1999.
“Kam takuar ndërmarrës të sektorit të teknologjisë, po ashtu fermerë, të cilët tashmë po eksportojnë në tregje evropiane, me njerëz të rinj që po punojnë për pajtimin mes komuniteteve dhe po ashtu liderët të cilët po avokojnë për të drejtat e gjitha komuniteteve etnike në Kosovë. Të gjithë janë duke punuar, secili në mënyrën e vet në drejtim të ndërtimit të një të ardhmeje më të ndritshme për veten dhe vendin e tyre. Por, prapë është e vështirë që të gjejë fjalët që të shpreh se në çmasë ka ndryshuar Kosova, prej se kam qenë këtu në vitin 1999”.
Teksa falënderoi e zyrtaren e Administratës Biden për mbështetjen, Presidentja, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët pas takimit tha se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.
“Kontributi i USAID-it është nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta ndihmuar vendin tonë drejt sukseseve të reja. Për më shumë se dy dekada, USAID ka qëndruar krahë për krahë me Kosovën dhe popullin e saj, duke mbështetur programet, të cilat kanë fuqizuar gratë, rininë dhe komunitetet jo-shumicë në të gjitha fushat. Kanë mbështetur bizneset drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike si dhe ka ndihmuar përpjekjet tona për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit”
Shefja e USAD-it e cila në Prishtinë erdhi pasi vizitoi Beogradin, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve të përfundojë me njohje reciproke.
Gjatë konferencës për media te premten u lansua edhe ankandi i parë i parkut me energji solare.