Pas diskutimeve që pati në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkovic, zyrtari ndërmjetësuesi në dialog, Miroslav Lajçak, pret që nga e hëna të kalohet në hapa konkretë.
“Në Beograd, takova presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryetarin Petar Petkoviq për të diskutuar për mënyrën e ecjes përpara, në zbatimin e Marrëveshjes. Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm konkretë”, tha Lajçak.
Para se të shkonte në Beograd, Lajçak dje kishte takuar kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë. Sot, para mediave Kurti foli për sinkronizimin e sekuencimit të zbatimit të aneksit dhe të marrëveshjes.
“Në fillim të javës, pra të hënën, do të këtë një takim të kryenegociatorëve atje dhe natyrisht ne sinkronizohemi sa u përket synimeve dhe në të njëjtën kohë qëllimi ishte të përgatitemi sa më mirë për një udhërrëfyes të zbatimit në mënyrë të sekuencuar ashtu që edhe marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, edhe aneksi i zbatimit në Ohër, pa kushte, pa vonesa, të zbatohen në mënyrë të plotë”, tha Kurti.
Ndërkaq, presidenti Aleksandër Vuçiq, me anë të një postimi në Instagram, insistoi se formimi i Asociacionit është parakusht që bisedimet të vazhdojnë.
“Si gjithmonë, një takim i hapur me Miroslav Lajçak me theks në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është parakusht për vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme me Prishtinën. Shpreha shqetësimin për situatën në Kosovë dhe Metohi, veçanërisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, para së gjithash për shkak të provokimeve të vazhdueshme nga Prishtina”, tha Vuçiq.
Në një konferencë për media, ndërkaq, presidenti serb akuzoi kryeministrin e Kosovës se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë e në Beograd është e para që nga takimi i Ohrit, më 18 mars. Siç dihet, më 2 maj, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë filluar negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. /atvlive.tv