Përgatiti: Armand Hoti
Vetëm forma e shkruar vazhdon t’ua tërheqë vërejtjen konsumuesve të duhanit.
Ministria e Shëndetësisë e ka shtyrë afatin që pakot e cigareve të kenë patjetër fotografitë me dëmet shëndetësore nga duhanpirja.
Udhëzimi Administrativ që e rregullon dizajnin e ri kishte hyrë në fuqi në shtator të 2023-ës, ndërsa nga muaji mars i vitit aktual, të gjitha produktet e duhanit që importohen në Kosovë, do të duhej t’i kishin të stampuara vërejtjet e kombinuara.
Por tash Ministria u dha kohë shtesë importuesve deri në shtator të këtij viti.
“Të gjitha produktet e duhanit të cilat importohen apo prodhohen për tregun e Republikës së Kosovës, nga 1 shtatori 2024, duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa, nga shtatori, pakot me dizajn të vjetër që kanë mbetur në stoqet brenda Kosovës, do të mund të shiten për gjashtë muaj.
“Të gjitha produktet e duhanit të cilat qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, nga 1 marsi 2025, duhet të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ, thuhet më tej në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Dogana e Kosovës thonë se afati u shty, meqë industria e duhanit ende nuk është gati t’i aplikojë udhëzimet e Ministrisë.
“Duke qenë se shumica e prodhuesve nuk kanë qenë në mundësi të përgatisin linjat e prodhimit për të përmbushur kërkesat e udhëzimit në fjalë, Ministria e Shëndetësisë me UA Nr. 02/2024 për plotësim-ndryshim të UA të lartcekur (Shëndetësisë) Nr. 05/2023 për Vërejtjet e Kombinuara, i cili ka hyrë në fuqi me datën 25.04.2024, e ka shtyrë zbatimin e Udhëzimit”, thuhet në përgjigjen nga Dogana E Kosovës.
Shkumbin Spahiu nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, thotë se shtyrja e afatit u bë pas lobimit të prodhuesve të duhanit.
“Megjithatë, është një lajm i mirë se ky do të hyjë në fuqi, në shtator të vitit 2024, dhe është një lajm i mirë që popullata në Kosovë, veçanërisht fëmijët mund të njoftohen për dëmet që shkaktojnë këto produkte”, tha Spahiu.
Sipas Udhëzimit Administrativ, vërejtja e kombinuar duhet të mbulojë 65% të sipërfaqes së dukshme të anës së përparme dhe po aq në pjesën e pasme të paketimit.
Nëpër pako do të vendosen 10 fotografi të ndryshme, me pasojat që mund t’i sjellë pirja e duhanit në shëndetin e njeriut.